Page 251 - Demo
P. 251
NDIKIMI I SHKRIMTARËVE NGA FOLKLORI Martin Camaj dhe folklori E gjithë vepra e Martin Camajt ndërthur pasurinë folklorike me talentin krijues dhe krejtësisht origjinal të shkrimtarit. Krijimtaria e tij (poezi, prozë poetike, novela dhe romane) dëshmon njëkohësisht edhe njohjen e shkëlqyer të traditës, edhe identitetin e tij krijues.Marrëdhënia e ngushtë me folklorin u duk që në fillesat e krijimtarisë së tij, në dy përmbledhjet poetike “Nji fyell ndër male” dhe “Kànga e Vërrinit”.Një mall dhe shqetësim shpirtëror i papërcaktuar shfaqet në këto poezi, ku i këndohet me aq shumë lirizëm hijeve të maleve mbi fushë, përfytyrimeve të një natyre të virgjër dhe njerëzve që me sjelljen e tyre disi të mbyllur janë jashtë rrjedhës së furishme të kohës. Me këto krijime, Camaj duket se vazhdon rrugën e poetëve të traditës që himnizojnë natyrën, legjendat dhe figurën trime të malësorit.Prania dhe fryma e kulturës dhe mendësisë popullore do të vazhdojë të ndihet pothuajse në të gjitha krijimet e tij të mëvonshme, ndonëse jo në mënyrë aq të dukshme sa në përmbledhjet e para. Në krijimet e tij gjejmë referenca që na çojnë te mitet, gojëdhënat dhe legjendat popullore, të cilat ai nuk i imiton, por i risjell, i rikrijon, i përthyen. Ato janë pjesë e rrëfimeve të tij dhe vijnë si parandjenjë apo fatalitet, si sintezë e përvojave, si thelb i shpirtit të kombit të tij, si kode të pathyeshme që përcaktojnë jetën dhe vlerat e saj më të rëndësishme, si një ndërthurje e realitetit konkret dhe imagjinares që vjen nga krijimet folklorike.Teksti i Camajt i ka të gjitha shenjat që e çojnë lexuesin te tradita e kombit të tij. Gjuha e tij është e mbushur me shprehje frazeologjike, elemente tipike për kodin e folur. Njësitë frazeologjikejanë përdorur qëllimisht për t’i dhënë veprës larminë e shprehjeve të dialektit geg. Njësitë frazeologjike sintetizojnë brenda tyre denduri kuptimesh të figurshme dhe i japin gjuhës së autorit veçantinë dhe lidhjen me origjinën.Në krijimtarinë e Camajt, shpesh ndikimi nga folklori është i hapur, p.sh.: si te “Jesminë”, e cila fillon me formulën hyrëse tipike për përrallat: “Ishte njëherë një fëmijë në një mal kund tri dit larg këndej...”Te “Dranja”, Camaj citon si shpjegim mitologjinë: “Në mitologjinë popullore Dranja ka nam të keq. Në një përrallë ajo na del pula e dreqit, me shtrigën kaluer mbi shpinë. Dikund tjetër tregohet se ajo kur e pau të huejin tue ardhë për mik me bujtë, hoqi vorbën me mish prej zjarmit për të mos e ngranë me atë.Në disa prej veprave të tij, Camaj merr pjesë nga krijimet popullore dhe pa i ndryshuar i përfshin në krijimet e tij, si citim. Këtë gjë Camaj e bën te “Dranja” e te novela “Shkundullima”, ku fut në tekstin e tij autorial pjesë të tëra nga rapsodi të njohura arbëreshe. Camaj është njohës i së drejtës zakonore, i traditës, i riteve dhe i mendësisë shqiptare.Romani “Rrathë” nëpërmjet shkrirjes së elementeve liriko-folkloristike, merret gjatë me përshkrimin e jetës së Malësisë dhe të zakoneve e dokeve të saj.Në veprën “Djella”, përshkruhet me imtësi rituali mortor i malësisë, përfshirë vajet. Ky pasazh i romanit pasqyron ritet dhe zakonet e vdekjes.Në romanin “Karpa” theksohet se shumica e personazheve e kanë ndërtuar jetesën e tyre mbi një rend të njohur, të trashëguar, sipas dokeve të lashta që të çon te Kanuni që është simbol i rregullatorit të lashtë. E drejta zakonore vjen nga mendimet dhe mendësia që shfaqin personazhet. Gjithçka që bëjnë ato kushtëzohet ose gjykohet nën dritën e dokeve dhe zakoneve të lashta. Vepra “Dranja” përfundon me një paragraf që përshkruan kultin e diellit të malësorëve shqiptarë, që lidhet me besimin e tyre pagan.249

