Page 252 - Demo
P. 252
Qeniet mitologjike janë të pranishme në gjithë krijimtarinë e Camajt, veçanërisht në prozë ku shfaqen shumë qenie mitike e kulte që lidhen me besimin mitologjik. Është mjaft e kuptueshme përfshirja e elementeve mitologjike në krijimet e Camajt, duke qenë se shpesh personazhet e tij janë malësorët, të cilët i nderojnë, u besojnë dhe u frikësohen këtyre qenieve të mbinatyrshme.Te novela “Pishtarët e natës”, Nika është një malësor që aq sa i beson dhe u frikësohet qenieve mitologjike, po aq edhe u bie ndesh atyre. Ai punon Fundinën, një zonë që mendohet si hapësirë e orëve dhe e zanave, të cilat i ka frikë dhe flet me eufemizma për to, duke iu drejtuar me: Shpirtën të malit, Shpirtën të pavdekshëm, Të lumet, Të lumet e natës. Shumë njerëz, madje dhe familja e tij besojnë se ai ka të bëjë me zanat dhe orët, element që e gjejmë veçanërisht në “Eposin e kreshnikëve”. Ai e di që ka shkelur besimin pagan, prandaj ka frikë. Te veprat “Rrathë”, “Pishtarët e natës”, “Rrungaja në mars”, tri personazhe ushtrojnë gjuetinë, ndonëse e dinë që kjo është në kundërshtim me besimin mitologjik. Ata janë të frikësuar nga veprimet e tyre dhe kjo shkelje është si një parathënie e tragjizmit të tyre.Personazhet e Camajt besojnë te zanat dhe orët, madje shkrimtari i krijon me tiparet e tyre, p.sh.: Sosja te “Rrathë”, vajzë e një rapsodi në pamje dhe në sjellje, jepet si një zanë; të njëjtën gjë bën edhe për Lejda te “Karpa”. Te romani “Karpa”, personazhi i Vonit ka një anomali fizike që shpjegohet me të qenët dragua, por mbahet sekret, sepse sipas besimit fuqia humbet nëse tregohet. Te “Rrathë”, Delmari ka tipare që nuk i kanë njerëzit e zakonshëm, herë është real e herë hije. Në veprën “Djella” na përmendet Kulshedra që personifikohet në një prej figurave të veprës. Edhe te “Karpa” një personazh e ka emrin Katallan dhe është i fortë fizikisht, por jo mendërisht, njësoj si në krijimet popullore.Në krijimet e Camajt ndodh shumë shpesh që personazhet të përshkruhen me një tis mistik dhe me tipare kreshnikësh a bukuri femrash hyjnore.Camaj i ndërton krijimet e tij, duke u bazuar në figura të rëndësishme të mitologjisë shqiptare, të cilat simbolizojnë qiellin e tokën, si: breshka, korbi, pëllumbi, bualli, gjarpri, shqiponja etj.: figura që bartin funksione totemike, ritualesh dhe magjish.Gjarpri është një figurë që te Camaj shfaqet si gjallesë konkrete, si totem, si mit, si qenie e mbinatyrshme që del vazhdimisht në të gjitha vëllimet e tij poetike. Kjo figurë bëhet pjesë e konceptit të ekzistencës së shqiptarit për Camajn. Gjarpri në poezinë e Camajt sjell shtresimet ndërtekstore si të reminishencës pagane, ashtu si edhe të ndikimit biblik e të mitologjisë popullore.Në qendër të veprës “Dranja” është figura e breshkës që në mitologjinë shqiptare identifikohet me gruan. Gjithçka është pjesë e mendësisë tradicionale shqiptare, e besëtytnive të vjetra të malësorëve, e kodit të ligjërimit etnografik shqiptar.Një figurë tjetër shumë e rëndësishme me origjinë nga mitet dhe legjendat është korbi, një shpend me simbolikë të rëndësishme në mitologji. Korbi shfaqet në shumë tekste të Camajt duke ofruar shumë shtresa kuptimore, ekzistuese ose të krijuara nga shkrimtari.Metamorfoza, shndërrimi është një dukuri që e ndeshim rëndom në eposin e kreshnikëve, por edhe në përrallat popullore. Shndërrimi i njeriut fizikisht dhe shpirtërisht bëhet objekt artistik në poezitë e Camajt, gjithashtu. Ky shndërrimi mund të jetë si rrjedhim i dhimbjes nga vetmia, vuajtja, por edhe si plotësim dëshire.Shndërrimi është i pranishëm në poezitë “Qokthi” dhe “Vajtorja”, të cilat krijojnë një marrëdhënie shndërrimi mes njerëzve dhe qyqes. Krijimtaria e Camaj mbart funksione totemike, rituale e magjike dhe simbole të ngurtësuara, por edhe simbole të reja, të cilat i krijon nëpërmjet teknikave të reja shkrimore. Te “Dranja” ndodh shndërrimi i gruas në breshkë, dukuri kjo e shpeshtë në përrallat popullore, si: shndërrimi i së Bukurës së Detit, Hyrisë së Detit etj.Te romani “Rrathë” formulat magjike, dallohen edhe grafikisht si pjesë e ritualit: “Mullizezat hanë thoj, sorrat-dhambë, korbat-kufoma e ti dhe, përpije këtë dhimbë.” Aty gjejmë dy elemente të rëndësishme të folklorit të zonave të veriut, lahutën dhe rapsodin. Camaj flet për këngët që janë një nga format më të njohura të letërsisë popullore.250

