Page 27 - Demo
P. 27
MedeaTë vdekur. I vranë. Me gurë, thotë Arina. Kurse unë mendoja se etja e tyre për hakmarrje do të shuhej kur të ikja. Nuk i kisha njohur. Mua nuk më njohu, kurse Lisën, nënën e saj, e njohu nga një njollë e murrme në kthesën e bërrylit. Sa u tremb ajo. Jeta këtu na ka ndryshuar. Shpella. Dielli i pamëshirshëm në verë, të ftohtët në dimër. Ushqimi me likene, brumbuj, kafshë të vogla, milingona. Jemi bërë hijet e atyre që kemi qenë. Ne të verbuarat, flisnim për fëmijët sikur të ishin gjallë. I shihnim të rriteshin, vit pas viti. Do të ishin hakmarrësit tanë. Kurse unë s’kisha dalë ende nga gjykata e qytetit të tyre, kur ata ishin vrarë. Cili djall e solli këtu Arinën. Mos duan zotat të më mësojnë që të besoj përsëri tek ata. Më vjen vetëm të qesh. Tani unë qëndroj më lart se ata. Edhe po të më prekin me gjymtyrët e tyre të llahtarshme, s’kanë për të gjetur asnjë gjurmë shprese, asnjë gjurmë frike tek unë. Asgjë prej gjëje. Dashuria është copëtuar për vdekje, edhe dhembja po pushon. Jam e lirë. Pa dëshira i vë veshin boshllëkut që më mbush të tërën. Dhe korintasit si duket ende nuk kanë mbaruar punë me mua. Ç’thonë ashtu. Unë, Medea, paskam vrarë fëmijët e mi. Unë, Medea, kam dashur të hakmerrem ndaj tradhtarit Jason. E kush e beson këtë, pyeta unë. Arina tha: të gjithë. Edhe Jasoni? Ai e ka mbyllur gojën. Po kolkidasit? Kanë vdekur të gjithë, përveç grave në male, dhe ato janë bërë si të egra. Arina thotë se vitin e shtatë pas vdekjes së fëmijëve korintasit zgjodhën shtatë djem e shtatë vajza nga familje fisnike. Ua qethën kokat. I dërguan në tempullin e Herës, ku duhet të kalojnë një vit, që të kujtojnë fëmijët e mi të vdekur. Dhe kjo që tani e tutje çdo shtatë vjet. Kështu është kjo punë. Kështu është plani. Ata kujdesen që edhe brezat e mëvonshëm të më quajnë vrasëse fëmijësh. Po ç’u duhet atyre kjo përballë krimit të llahtarshëm që do të ndeshin kur të vështrojnë të kaluarën. Se ne nuk vëmë mend. Ç’më mbetet mua. T’i mallkoj. Mallkimi rëntë mbi ju të gjithë, mallkimi rëntë sidomos mbi ju: Akamant, Kreon, Agameda, Presbon. Ardhtë mbi ju një jetë e tmerrshme dhe një vdekje e mjerueshme. Ulërima juaj shkoftë deri në qiell e mos e prektë. Unë, Medea, ju mallkoj. Ku të shkoj unë. Duhet menduar një botë, një kohë, në të cilën do të kaloj. S’ka njeri që të mund ta pyes. Kjo është përgjigja. Krista Ulf, “Medea. Zërat”,(përktheu Anila Omari, f. 192-193, 2007). MedeaMedea personazhi i Euripidit, i vret fëmijët e saj: Meqë është nevojë domosdo të vdesin/ Unë që i linda, un’ dhe do t’i vras.Fëmijët e Medeas (personazh i shkrimtares gjermane Krista Ulf) vriten me gurë nga korintasit. 25

