Page 44 - Demo
P. 44
KËNGËT E MOTMOTIT Festat pagane dhe ritet Festat pagane janë të ngulitura thellë në vetëdijen e popujve, pasi ato lidhen me pjellorinë e tokës dhe ripërtëritjen e jetës së njeriut e të natyrës. Festat pagane të motmotit dhe ritet që i shoqërojnë ato janë mjaft të pranishme në folklorin shqiptar.Këngët lirike që u janë kushtuar atyre, të quajtura ndryshe këngët e motmotit, janë aq të lashta sa është vështirë të gjenden të pastra dhe të plota në ditët e sotme.Në disa prej tyre janë përzier edhe elemente të besimeve fetare të krishterimit dhe myslimanizmit. Në këngët e motmotit, të lidhura kryesisht me punët e bujqësisë e të blegtorisë, paraqitet përvoja e popullit në punët e stinëve. Ato këndohen në festa të ndryshme të vitit. Secila nga festat e motmotit kishte këngët e veta të posaçme.Këngët e motmotit jo vetëm na njohin me të kaluarën e popullit tonë, por kanë edhe vlera artistike. Figuracioni i pasur i përdorur në to, atmosfera e gëzuar që përcjellin i bën shumë të këndshme dhe të pëlqyeshme.Ritet pagane dhe simbolika e tyre. Festat e motmotit me ritet e tyre përkatëse kanë shumë ngjashmëri me festat e popujve të tjerë dhe mitologjinë greke. Dielli, hëna, yjet, në mitet e ritet e besimet e popullit tonë, më së shumti dalin të lidhura me pjellorinë në bujqësi e blegtori. Dy elementet kryesore të riteve pagane janë zjarri dhe uji: zjarri si element spastrues që djeg të keqen dhe uji që e pastron atë.Zjarret e vitit (flakadanët) janë shumë të njohura në folklorin shqiptar për mbarësi e pjellori. Për Kolendra, Kërshëndella, Vit të Ri, Ditën e Ujit të bekuar, Ditën e Verës, Ditën e Nevruzit (Dita e Zojës, Dita e Vangjelizmoit), Shëngjergj, Shëngjin, digjej dëllinjë dhe kashtë (e grurit, e misrit, e thekrës). Fillimisht, ndezja e zjarreve kishte për qëllim dhënien fuqi diellit, i cili ia kthente këtë fuqi prodhimit të ri bujqësor. Në përgjithësi, këto zjarre kishin të bënin me ripërtëritjen e natyrës, të bimësisë në këtë stinë. Në lashtësi mendohej se djegia e kashtës së drithit dhe hedhja e hirit në vazhdim, ndihmonte që drithi të ringjallej e të ripërtërihej në hirin e vet. Kashta shtrohej në formë rrathësh që quheshin “dalinat e verës”. Dalinat digjeshin në majën më të dukshme të kodrave të fshatit dhe rreth tyre përsëritej: Dalinat e pranverës, marrshi ethet e verës. Fiset bënin garë mes tyre kush i ndizte më mirë. Në këtë rit, ashtu si edhe në popuj të tjerë të Evropës, formohet rrethi i zjarrtë diellor. Këtu kemi të bëjmë me kultin e diellit dhe lidhjen e tij me pjellorinë në bujqësi. Kashta e drithit, në thelb, simbolizon hyjninë e drithit dhe lidhjen e saj me diellin, aftësinë e saj për t’u kthyer në diell, për t’i ngjarë atij e për të marrë prej andej fuqinë që t’ia japë prodhimit të ri bujqësor. Një rit i veçantë për të ruajtur bagëtitë nga sëmundjet e mundshme ose “për t’i shëruar” ato prej tyre është tymosja. Zakonisht tymosja bëhej në pranverë me “zjarr të gjallë”: nga fërkimi i dy drurëve ose me gurë shkrepës e eshkë.Kulti i ujit. Në lashtësi, prodhimi bujqësor dhe ai blegtoral varej kryesisht nga sasia e ujërave të lumenjve dhe të burimeve, nga sasia e reshjeve vjetore, veçanërisht në verë. Kështu lindi kulti i ujit e për mbarësi (pastrimi me anë të ujit) dhe pjellori (kundër thatësirës në verë ose motit të keq në dimër). Fenomeni i riteve magjike për të rënë shi në kohë thatësire është i njohur edhe në popuj të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës.Për Nevruz i drejtoheshin kështu hyjnisë: “O perëndi, nepna shi në vërri/ Të bëhet misri dhe shelgu me bri”. Për ujin e burimit bëheshin edhe flijime. Uji mbushej në burime a 42

