Page 55 - Demo
P. 55


                                    GJËMA DHE VAJET Gjëma e burrave Vajet. Lirika popullore familjare përcjell ceremonialet e fazave të ndryshme të jetës së njeriut: lindjen, martesën, vdekjen. Secila prej këtyre fazave të jetës shoqërohet me krijime poetike përkatëse: këngët e lindjes, këngët e dasmës, vajet. Vajet janë krijime folklorike që mbyllin ciklin jetësor të njeriut. Për krijimet poetike të interpretuara në ceremonitë e vdekjes përdoren emra të ndryshëm. Në shumë vende të botës i vdekuri vajtohet me zë, me një lloj të kënduari melodia e të cilit është shpesh më pranë recitativit sesa të kënduarit të vërtetë. Dhembja që shkakton vdekja kërkon shfryrje, lehtësim shpirtëror dhe këtë shqiptari e ka arritur me gjëmën në Veri dhe vajtimin me ligje në Jug. Vajet (gjëmat, vajtimet me ligje) janë krijime të improvizuara, që kanë lindur gjatë vajtimit të të vdekurit dhe japin portretin e tij të plotë, fizik e shpirtëror. Ndjenja mbizotëruese është dhimbja e thellë për vdekjen e njeriut të afërt.Kjo ndjenjë shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë me vargje të fuqishme, duke vënë në dukje cilësitë e larta morale e fizike të të vdekurit, si për të theksuar që për njerëz të tillë dhimbja është e natyrshme dhe e ligjshme. Vajet marrin shkas nga vdekja e një të dashuri për të folur edhe për gjëra të tjera, për të filozofuar për jetën në përgjithësi, për të vënë në dukje fatkeqësi shoqërore etj. Gjëmat bëhen kryesisht prej burrave, ndërsa vajtimet me ligje nga gratë, por ndarja nuk është e prerë: edhe gratë bëjnë gjëmë, dhe burrat vajtojnë me ligje.Koncepti për vdekjen. Vajet, ritet dhe zakonet që i përkasin vdekjes dhe kultit të saj janë të lashta sa vetë ajo, janë bashkëshoqëruese të saj, elemente përbërëse të pandashme. Në lashtësi të gjallët mendonin se të parët e tyre vazhdonin të jetonin në “jetën përtej varrit”, se njeriu kalonte në një botë tjetër ku ruante formën antropomorfe me gjithë zakonet e kësaj bote. Sipas tyre, vdekja nuk ishte gjë tjetër veçse një proces i natyrshëm, ndërrim jete. Këtu e ka origjinën shprehja “ndërroi jetë” për vdiq dhe zakoni për të vënë në varre ushqime, grurë, cigare etj. Në gjëma bëhet portreti fizik e shpirtëror i të vdekurit, por edhe gjendja e tij familjare. Gjëmat pasqyrojnë psikologjinë dhe filozofinë e shqiptarëve. Ndonjëherë, gjëmëtari fliste edhe për ndarjen e mallit dhe të tokës mes trashëgimtarëve, çka tregon se shqiptarët e konsideronin vdekjen si një fazë përmes së cilës kalojnë të gjitha qeniet njerëzore.Kulti i të vdekurve. Mendësia për kultin e të vdekurve dhe për vdekjen, jo si mbarim, por si ndryshim i mënyrës së vazhdimit të jetës haset që te Herodoti, te popujt e lashtë të Egjiptit e Babilonisë, te grekët e lashtë, ilirët etj. Këta popuj e përcillnin të vdekurin me një varg ceremonish, me vaje e me veprime të tjera, që shprehnin dhimbjen për ndarjen, si dhe dëshirat për t’i siguruar të vdekurit kushte më të mira. Ashtu si në varret e faraonëve, edhe në varret e ilirëve janë gjetur enë për mbajtjen e ushqimeve. Shqiptarët i vlerësonin, i respektonin dhe i ruanin varret e të parëve dhe i mbanin afër shtëpisë ose brenda pronave të tyre.Gjëma e burrave në Shqipëri. Gjëma (gjama) është një lloj vajtimi që bëjnë malësorët e Veriut për të vdekurin, duke çjerrë fytyrën e duke goditur gjoksin me grushte. Personi që qan me gjëmë të vdekurin, që gjëmon (gjamon), quhet gjëmëtar (gjamtar). Për fjalën gjëmë ka dëshmi kudo ku flitet shqip.Sipas E. Çabejt, fjala vaj (britma a ulërima të zgjatura që lëshon dikush në rast fatkeqësish, kujë, vajtim, ligje) ka origjinë onomatopeike nga pasthirrma vaj-vaj.Në viset e Shqipërisë përdoren fjalët: vaj, vajtoj, vajtim, vajtojme, vajtore, vajtojcë, vajtimore, vajtare, vajtuese, vajtimar, vajtimicë, vajatare, vajme, vome, vejme, vajtimore, këngë vaji, ligje, ligjëri, gjamë etj.Ligje: këtu: fjalë, zakonisht në vargje, që gratë i thonë, duke vajtuar një të vdekur.“Në vorr të një vllaznie e të nji fisi s’hin i dekuni a i vrami i vëllaznis a i fisit tjetër.”Kanuni i Lekë Dukagjinit 53
                                
   49   50   51   52   53   54   55   56   57   58   59