Page 86 - Demo
P. 86
NDIKIMI I SHKRIMTARËVE NGA FOLKLORI Gavril Dara i Riu dhe folkloriGavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh, pas Jeronim de Radës.Familja e tij shquhej për kulturën e gjerë. Gjyshi i tij Gavril Dara Plaku dhe i ati, Andrea, dhanë një kontribut të madh për ruajtjen e traditës arbëreshe, sidomos në drejtim të mbledhjes së folklorit.Gavril Dara lindi më 1826 në Pallaci të Sicilisë në një familje bujarësh shqiptarë, që ishin shpërngulur përtej Adriatikut pas vdekjes së Skënderbeut. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij është “Kënga e sprasme e Balës”. Kjo poemë është një ndër kryeveprat e letërsisë romantike shqipe, në të cilën poeti derdh me dashuri tërë diturinë dhe frymëzimin e vet. Poezia popullore ka qenë gjithmonë burim i pashtershëm për autorët arbëreshë, por në këtë vepër ndikimi nga folklori është veçanërisht i dukshëm. Idetë e poemës “Kënga e sprasme e Balës”Temën e poemës së tij, ashtu si pjesa më e madhe e romantikëve, Dara e mori nga periudha e Skënderbeut. Ai e ngriti në art epokën e lavdishme të shqiptarëve, duke e bërë shprehëse të ideve të tij patriotike.Vepra ka në bazë dy ide qendrore: njëra ngjason me idenë e shprehur nga De Rada te “Këngët e Milosaos” se nuk mund të ketë lumturi vetjake kur atdheu është në rrezik, dhe ideja tjetër është se atdheu mund të çlirohet vetëm me luftë e përpjekje të fuqishme.Ideja e parë shtjellohet nëpërmjet linjës së dashurisë. Idesë së dytë i kushtohet një linjë e veçantë me tablo të gjalla nga betejat e shqiptarëve me osmanët.Në themel të idesë së parë, qëndron një histori dashurie, ajo midis Nik Petës dhe Marës, bijës së Kaurit, princit të Lalës. Ndryshe nga poemat e De Radës, në poemën e Darës kjo ndjenjë është përshkruar në mënyrë më të thjeshtë. Dara nuk i ndërlikon personazhet dhe situatat. Në këtë pikëpamje, ai është më pranë krijimtarisë folklorike, ku situatat janë të thjeshta dhe konkrete. Heronjtë e Darës, sikurse heronjtë e folklorit, vendosin në përgjithësi shpejt për fatet e tyre; pengesat që u dalin përpara në realizmin e dashurisë, i kalojnë gjithashtu shpejt e me vendosmëri.Në këngën III (Kënga e hënëzës), plaku Darë e qorton Nik Petën që ka rënë në dashuri me Marën, një vajzë e huaj. Vitet që ka mbi shpatulla e bëjnë plakun që të druhet nga kjo dashuri, sepse vajza është lindur në një vend të huaj, është rritur mes pekulesh dhe e adhuruar nga njerëzit e saj. Plaku është i shqetësuar, jo vetëm ngaqë djali është i dashuruar pas një të huaje, por edhe pse duke u dhënë pas dashurisë, ai ndoshta harron detyrën ndaj atdheut. Pavarësisht këtij shqetësimi, Niku nuk ka mëdyshje: për të detyra është e shenjtë dhe pikërisht në këtë vendosmëri të tij del në pah ideja e dytë e poemës, sipas së cilës liria mund të arrihet vetëm me luftë e përpjekje.84

