Page 88 - Demo
P. 88
Trimëria dhe patriotizmi i Palit shkëlqejnë në betejën e Vajkalit, ku ai futet thellë në prapavijat e armikut dhe bie vetëm pasi ka arritur të zmbrapsë turqit. Ai lë amanet që armët e tij të varen në një pemë dhe të vazhdojnë t’u kallin tmerrin osmanëve. Ashtu si në krijimet folklorike ndodh mbirja simbolike e pemëve në fund të veprës. Të dy heronjtë vdesin heroikisht dhe asnjërit prej tyre nuk i dhimbset jeta e dhënë në moshë të re për lirinë e atdheut.Niku e Pali vihen përballë njëri-tjetrit në duel për shkak të Marës, Bijës së Lalës. Te Mara megjithëse e paraqet si të huaj, Dara ka mishëruar disa nga cilësitë e gruas shqiptare.Ajo shquhet për trimëri të rrallë, çka shfaqet në kohën kur, e dorëzuar te Ballbani nga i ati i pabesë, mbrohet nga turqit me thikë në dorë.Ideali atdhetar spikat veçanërisht te figura e Skënderbeut. Heroi i shqiptarëve, si prijës ushtarak, strateg e luftëtar, vendoset në skena që ia nxjerrin në pah më qartë këto anë të figurës së tij: në këshillin e luftës dhe në betejë. Gjithashtu, ai zbulohet në marrëdhënie me të tjerët, ku theksohet ndikimi i fjalëve dhe i veprimeve të tij mbi këta të fundit. Skënderbeu i Darës del më tepër njeri i veprimit sesa i fjalës, vigjilent e largpamës; që di të falë edhe gabimet kur e kërkon e mira e atdheut (skena me Moisiun). Në luftë me armiqtë ai është i rreptë dhe i tmerrshëm, kurse në marrëdhënie me ushtarët i dashur dhe i kujdesshëm.Personazhet e poemës i plotëson Bala, që nuk është vetëm zëdhënës i autorit, po ka edhe një jetë të vetën. Në luftë ai është i pamëshirshëm me armiqtë, por pas betejës është plot ndjenja të buta njerëzore. Përmes figurës së plakut Balë, Dara shpreh edhe dramën e arbëreshëve të mërguar jashtë atdheut, duke i dhënë letërsisë sonë një tip të ri personazhi, atë të arbëreshit të mërguar në dhe të huaj.Heroikja dhe fati tragjik i heronjve jepen nëpërmjet përshkrimit të betejave, të cilat kanë bazë historike, si beteja e Beratit dhe ajo e Vajkalit. Gjithashtu, edhe disa karakteristika të heronjve kryesorë, si krenaria, vendosmëria, trimëria etj., na kujtojnë tipare të eposeve kalorësiake.Veçoritë stilistike të poemësVepra e Darës shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi të gjitha, për mbështetjen në folklorin arbëresh, sidomos për sa i përket elementeve të formës. Prej folklorit, ai ka huazuar vargun trokaik pa rimë, larminë ritmike, figuracionin e gjallë, stilin, muzikalitetin e rrallë, madje në disa raste edhe vargje të tëra.Dara shquhet si në përshkrimin e tablove të ashpra të betejave, ashtu edhe në skicimin e skenave lirike. Ai dallohet në përdorimin e antitezave, krahasimeve, metaforave, epiteteve. Studiuesit kanë veçuar sidomos antitezën e këngës së dytë, ku shprehet kontrasti midis trimave të Skënderbeut që gëzojnë pranë zjarrit dhe Moisi Golemit që rri mënjanë, “Te hija e lisit të helmit” flitet për trimat e rënë në sheshin e betejës me një antitezë tronditëse.Krahasimet e poetit dallohen për forcën përshkruese, ndërsa epitetet-kompozita janë mjaft tipizuese. Me një epitet të vetëm, ai shpreh një karakter të tërë. Kështu, Moisiu është “ballëfshehur”, Vrana Konti “zemër e krah lisi” etj.86

