Page 152 - Demo
P. 152


                                    SHTATË KROJETPara leximitBëni një pesëvargësh me togfjalëshin Bukuri shqiptare.Livadhin, ku ndodhen Shtatë Krojet, e stolis një bukuri përrallore. Në pranverë e hijeshon diadema e gjelbërimit dhe e luleve të bulëzuara, në verë e zbukuron frymëmarrja e vrullshme e tokës, e cila thith ngrohtësi, në vjeshtë laramania e ngjyrave që shprehin pjekurinë e asaj që njëherë ka lindur, ndërsa dimrit – ah dimrit – mbulesa e bardhë shtresohet mbi farën, e cila duhet të ringjallë jetën e re, mbulon tokën jo që t’i fshehë, por përkundrazi, t’i bëjë më të dukshme gjurmët e atyre që e shkelin. Dhe aty ku livadhi formon një hark, të cilin e mbulojnë degët e shelgjeve të lëshuara teposhtë, dëgjohet gurgullima e ujit që rrjedh nga Shtatë Krojet, të radhitur njëri pranë tjetrit. Uji, që rrjedh nëpër lugjet e mbuluara me myshk të gjelbër, ushqen kullosën që shtrihet përpara tyre, apo përbirohet nën shtresat e borës gjatë ditëve të dimrit. Pamja e jashtme e tyre fare nuk dallon nga krojet e tjera që mund t’i hasni kudo nëpër kodrinat, ku njeriu ka dashur, me një mur dhe një lug të bëjë një vepër të mirë për ardhacakët e rastit, për të eturit e lodhur... E veçanta e Shtatë Krojeve, që ka përmasa të pabesueshme, është e vërteta se, një herë në vit, këto kroje shteren krejtësisht, nuk pikon nga lugu i tyre asnjë pikë uji, e lere më të keni mundësi të shuani etjen apo të lani fytyrën. Kjo ndodh ditën e Shëngjergjit, në çastin kur lind dielli dhe kur mbi livadh bie tufa e parë e rrezeve të tij. Ashtu siç fillojnë të bien rrezet mbi livadh, dalëngadalë nis të shterojë uji, kështu që në çastin kur dielli nxjerr mbi kodrinën përballë tërë kokën e vet, nga lëfyti i krojeve rrjedh pika e fundit e ujit. Dhe pas saj fillon një mrekulli përrallore: nga lugu i tyre dalin re të ngjyrosura. ... Dhe radhitja e ngjyrave gjithmonë është e njëjtë: nga kroi i parë dalin re me ngjyrë të kuqe, nga i dyti re të zeza, nga i treti të gjelbra, nga i katërti të verdha, nga i pesti të kaltra, nga i gjashti të kafta, nga i shtati të bardha si bora, të cilat pastaj bashkohen, formojnë një si ylber, i cili fillon të shtrihet mbi butësinë e kullosës dhe të luleve, bëhet gjithnjë më i dendur dhe fillon të ngjitet lartësive qiellore. Diku para mbrëmjes, në çastin kur dielli fsheh fytyrën e vet pas kodrinës në perëndim, retë formojnë një topth shumëngjyrësh, i cili sa më shumë ngjitet përpjetë, aq më shumë zvogëlohet, aq shpejturazi zvogëlohet, sa më në fund bëhet krejtësisht i padukshëm. Zhdukja e tij paralajmëron edhe tik-takun e pikave të para të ujit që fillojnë të rrjedhin nëpër lugjet e krojeve dhe daljen nga dehja e atyre që janë ndodhur aty gjatë tërë kohës që ka zgjatur kjo dukuri madhështore.Kim MehmetiFjalordiademë – kurorë.të bulëzuara – të çelura.laramania – këtu: shumëllojshmëria.teposhtë – tatëpjetë.kullosë – kullotë.përbirohet – çan rrugën përmes një vendi të ngushtë a të vështirë për t'u kaluar.lug – copë e gjatë druri a guri, e gërryer dhe e bërë si govatë për t'u dhënë ujë a ushqim kafshëve.ardhacak – ardhës.lëfyt – grykë.150 Gjuha shqipe 6
                                
   146   147   148   149   150   151   152   153   154   155   156