Page 67 - Demo
P. 67
65Tregu globalBarrierat tregtare përfshijnë sa vijon:1. Kuotat kanë të bëjnë me kontrollin e sasisë së një produkti, që mund të importohet në një shtet, për shembull, të sasisë së makinave që mund të hyjnë në një vit.2. Tarifa është taksa që një shtet vendos për një mall të importuar për të mbrojtur prodhimin vendas. Për shembull, nëse shteti vendos një taksë të lartë për domatet e importuara, atëherë çmimi i këtyre domateve do të ishte më i larti në treg.3. Subvencioni është ndihma financiare që një shtet mund të ofrojë për një veprimtari të caktuar ekonomike, për të ulur çmimet e mallrave që ajo prodhon. 4. Embargo është vendosja e ndalimit të tregtisë me një shtet të caktuar për një mall ose për të gjitha mallrat. Për shembull, mundësia e një sëmundjeje të shpendëve të importuar bën që shteti të ndalojë tregtinë me shtetin që i eksporton ato. 5. Standardi ka të bëjë me përcaktimin e cilësisë së kërkuar të një malli dhe me ndalimin ose kufizimin e blerjes së këtij malli, nëse ai nuk përmbush cilësinë (standardin) e kërkuar. Kështu, nëse ne dëshirojmë të eksportojmë mallrat tona në Evropë, duhet që këto mallra të përmbushin standardet përkatëse të Evropës. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtareShpeshherë vendet nuk pajtohen për mënyrën si zhvillohet tregtia e tyre me vendet e tjera. Ato ankohen se po trajtohen në mënyrë të padrejtë nga barrierat tregtare të shteteve me të cilat bëjnë tregti dhe, jo rrallë, kërkojnë që të ulen barrierat që kufizojnë tregtinë e tyre me këto vende. Madje disa vende kërkojnë heqjen e të gjitha barrierave tregtare, si dhe lëvizje tërësisht të lirë të mallrave dhe shërbimeve nga një vend në tjetrin. Megjithatë, ligjet ndërkombëtare janë të nevojshme për tregtinë ndërkombëtare, në mënyrë që jo vetëm të shmangen ose të zgjidhen mosmarrëveshjet, por edhe të gjitha vendet të përfitojnë dhe të mbrohen nga tregtia globale.Për të lehtësuar tregtinë globale dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare është krijuar Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), e cila shërben si një lloj gjykate, që dëgjon dhe vendos mbi mosmarrëveshjet tregtare. Për shembull, nëse një vend i vogël ose më pak i fuqishëm ka një mosmarrëveshje me një vend më të madh dhe shumë më të fuqishëm, OBT-ja përpiqet ta zgjidhë çështjen në mënyrë të drejtë dhe paqësore. Kështu, nëse ka një problem për t’u zgjidhur, dy ose më shumë vende mund të apelojnë në OBT. Një grup me ekspertë të tregtisë dëgjon hollësitë e çështjes, analizon rregullat, për të cilat vendet anëtare kanë rënë dakord dhe më pas merr një vendim. I. Të kuptojmë idetë dhe konceptet kryesore të mësimit1. Tregoni me shembuj, që gjatë shkëmbimeve tregtare ka “fitues” dhe “humbës”! 2. Përse është e nevojshme një politikë tregtare?

