Page 23 - Demo
P. 23
2. Djali i mbretit dhe luani i pikturuar (Ezopi)Një mbret, djali i vetëm i të cilit ishte i dhënë pas ushtrimeve luftarake, pa një ëndërr sikur të birin ia vrau një luan. Nga frika se ëndrra mund të bëhej realitet, ai ndërtoi për të birin një pallat të bukur. Për ta zbavitur, muret e pallatit i zbukuroi me piktura të të gjitha llojeve të kafshëve dhe, midis tyre, ishte edhe piktura e një luani. Kur princi i ri pa pikturën e luanit, zemërimi ngaqë e kishin mbyllur brenda shpërtheu sërish dhe, duke qëndruar pranë luanit, tha:– Egërsirë e mallkuar, për shkakun tënd dhe të ëndrrës gënjeshtare të tim ati, jam mbyllur këtu, në këtë pallat, si në një burg! E ç’mund të të bëj?Me të thënë këto fjalë, ai zgjati duart drejt një ferre. Donte të këpuste një nga degët e saj që ta gjuante pikturën me të. Por një gjemb iu fut në gisht dhe ai nuk mundi ta nxirrte dot. Plaga iu përkeqësua, i shkaktoi ethe të forta dhe iu ënjt jashtë mase. Ethet ishin aq të forta, saqë djaloshi humbi jetën prej tyre.3. Hakmarrja e leopardit (fabul afrikane)Një ditë, një këlysh leopardi ia mbathi nga shtëpia dhe u kuturis mes një tufe elefantësh. Prindërit e kishin paralajmëruar sa e sa herë t’u rrinte larg atyre kafshëve gjigante, por ai nuk i dëgjoi. Befas elefantët ia dhanë vrapit dhe njëri prej tyre e shkeli këlyshin pa e vënë re. Pak më vonë, një hienë e gjeti trupthin pa jetë dhe shkoi e u rrëfeu prindërve.– Lajm të kobshëm po ju sjell, – tha. – Gjeta trupin e birit tuaj pa jetë, në mes të një fushe.Dy leopardët, mëmë e babë, lëshuan klithma të mprehta dhimbjeje e mllefi.– Si ndodhi? – pyeti i ati. – Më thuaj, kush ia bëri këtë gjëmë birit tonë? S’do të gjej prehje derisa t’ia marr hakun!– Ishin elefantët, – iu përgjigj hiena.– Elefantët? – pyeti babai leopard disi i habitur. – Ishin elefantët, the?– Po, – tha hiena, – i pashë gjurmët e tyre.Leopardi nisi të ecejakte poshtë e përpjetë një copë herë, duke buluritur e duke tundur kokën.– Jo, gabohesh, – tha më në fund. – Nuk e kanë bërë elefantët, por dhitë. Dhitë e vranë tim bir!Dhe, pa e bërë të gjatë, u lëshua tatëpjetë kodrës dhe iu vërsul një tufe dhish që po kullotnin në luginë. Me një shpërthim të dhunshëm zemërimi, në shenjë hakmarrjeje, mbyti ç’gjeti përpara.21

