Page 45 - Demo
P. 45
Përjashta nata dimërore kishte mbështjellë çdo gjë me ujëra, mjegull dhe erë. Duke futur kryet nën mbulesë, dëgjoja mbyturazi zhurmën monotone të pikave të shiut mbi pullazin e madh të shtëpisë sonë.E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në pllakat e pjerrëta, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e pullazit i priste një grackë e panjohur, lugu prej llamarine. Pikërisht në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga streha në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në lugun e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: “Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë?” dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur, binin befas në një burg të thellë e të errët, në sternën e shtëpisë sonë.Kur shirat vazhdonin tri-katër ditë rresht, im atë e shkëpuste lugun, që sterna të mos mbushej më tepër se ç’duhej. Sterna ishte e madhe. Ajo shtrihej pothuaj nën gjithë sipërfaqen që zinte shtëpia jonë dhe, në qoftë se shpërthente, mund të përmbyste në fillim kubenë dhe pastaj të shkallmonte krejt themelet e shtëpisë, sepse qyteti ynë ishte i pjerrët, dhe në këtë qytet mund të ndodhte çdo gjë.Ndërsa po vrisja mendjen se cili e kishte më të vështirë të duronte burgimin, njeriu apo uji, dëgjova hapat e gjyshes dhe pastaj zërin e saj nga dhoma tjetër:– Ngrehuni, ngrehuni, kemi harruar të heqim lugun.Babai dhe nëna brofën të trembur. Im atë vrapoi në errësirë, me mbathjet e gjata të bardha, hapi dritaren e këndit dhe me një shkop të gjatë e mënjanoi lugun. U dëgjua zhurma e ujit që nisi të binte në oborr.Ndërkaq, nëna ndezi bishtukun me vajguri dhe bashkë me babanë e me gjyshen zbritën shkallët. Unë u afrova te dritarja dhe u mundova të vështroja përjashta. Era e përplaste shiun me furi pas qelqeve dhe mazgallat e vjetra të shtëpisë rënkonin.PËRMBYTJAPara leximitKush nga ju ka vizituar Gjirokastrën? Keni fotografi ose pamje nga qyteti i gurtë?“Përmbytja” është një fragment nga romani “Kronikë në gur”, i shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare. Ngjarjet zhvillohen në qytetin e Gjirokastrës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka shihet me syrin e një fëmije. Ndodhitë i lidh rrëfimtari, si në fragmentin e mëposhtëm. Romani flet për njerëzit, jetën dhe zakonet e kohës, herë me ngjarje të thjeshta e herë të zmadhuara. Vepra ka ngjyra dhe përcjell optimizëm.Ismail Kadare (1936)Është ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë. Kadare shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës dhe është vlerësuar me mjaft çmime ndërkombëtare. Nga krijimtaria e pasur e Kadaresë, përmendim: “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave” etj.43

