Page 29 - Demo
P. 29
Fjalorishte edhe në vitin... Nuk më kujtohet viti!.. Po këtë edhe mund ta gjejmë: atë vit ishte luftë. Kjo është e sigurt: ishte luftë, se ishte luftë dhe kur ishte luftë, luftohej se ishte luftë. Me sa mbaj mend unë... Sa i nxituar që jam!... Ishte luftë!.... Më parë se të ishte luftë, nuk ishte luftë. Ishte një gjë... Si të thuash. Një gjë si e papërcaktuar, në mes të luftës dhe paqes. As luftë dhe as paqe. As paqe dhe as luftë. Dhe ishte verë. Po, po! Me sa mbaj mend, ishte verë. Jo se nuk kishte dimër në atë vend, por atë vit ishte verë, se më pas erdhi vjeshta dhe pas saj erdhi dimri... Se, kur i thonë fjalës, stinët këmbehen radhazi dhe nuk e ngatërrojnë kurrë radhën: sa ikën dimri, vjen pranvera... Pastaj vera, vjeshta dhe, si ikën kjo e fundit, pasi mbledh vreshtat dhe gjithë të tjerat si ia do zanati, nderi dhe muhabeti, ia lë vendin dimrit përsëri. Kështu ka qenë që nga kohët e vjetra që nuk mbahen mend dhe kështu do të jetë gjer në jetë të jetëve. Kështu ishin punët dhe punët vinin e shkonin së bashku me stinët. Punët vinin dhe shkonin dhe ai fshat qëndronte mbi shtatë kodrina, në mes të maleve që largoheshin ose afroheshin sipas kohës që bënte. Mund që ndonjërit t’i duket e çuditshme, veç edhe pse është e çuditshme me të vërtetë, mbetet gjithnjë ashtu e vërtetë, më e vërtetë se e vërteta vetë. E tillë është Shqipëria. Mund të ketë edhe vende të tjera që ngjajnë me vendin tonë, por ne këtë njohim dhe për këtë shkruajmë, të tjerët le të shkruajnë për vendin e tyre. Shqipëria e tillë është, kush nuk e beson le ta provojë, pastaj le të na e thotë mendimin e vet. Shqipëria, miq dhe dashamirë, ose më mirë le të themi malet e Shqipërisë, malet që t’i sheh syri kudo që të jesh, janë të çuditshme. Sikur i ka magjepsur një fuqi e mrekullueshme; ti i shikon në një ditë të pastër, kur dielli shkëlqen madhërishëm në kupën e qiellit dhe ato të duken të kaltëruara, të mjegulluara, të menduara, të bukura sa më s’thuhet... Po të largëta dhe që s’arrihen dot!... I sheh dhe nuk i sheh. këmbehen – shkëmbehen me njëra-tjetrën.në jetë të jetëve – gjithmonë.27

