Page 32 - Demo
P. 32
FjalorSokol,Dimri vazhdon. Borë e të ftohtë kemi shumë. Sot në mëngjes u gdhi një ngricë e tillë që s’mbahet mënd. Ne mezi vajtëm në shkollë. Buza e liqenit kishte ngrirë disa metra thellësi. Lajmin e parë ma dha Vasoja që në mëngjes dhe pa pritur ta pyesnja më gjatë si shkoi. Unë nuk hëngra as mëngjesin dhe renda me të katra. Kur ç’të shihnja! Kish ngrirë i tërë liqeni! Gjë fort e rrallë ndër ne! Pleqtë s’e mbajnë mënd që të ketë ngrirë ndonjë dimër liqeni aqë shumë. Edhe babagjyshit, ja i kujtohet, ja s’i kujtohet që të ketë ndodhur nj’a dy herë gjatë jetës së tij një gjë e tillë. Ishim grumbulluar tërë fëmijët e shumë prej tyre kishin guxim edhe rrëshqisnin mbi akullin e liqenit. Vasoja ishte i pari që hapi rrugën. Filloi bredhja me sa na hante vrapi përmes akullit. Kapeshin fëmijët katër e pesë dorë për dore dhe fërrshsh... rrëshqisnin! Shumë nëna, që nga buza e liqenit, i qërtonin, u thërrisnin të largoheshin. Po kush i dëgjonte, se! Të them të drejtën, edhe mua më rrihte zemra: makar ta provonja njëherë. Kur do ti e më vjen Pirroja, më rrëmben me zor e më fut midis pesë-gjashtë shokësh të tjerë. Aqë desha dhe unë: fërrshsh... rrëshqitëm me këmbë gjer aty tutje gjatë bregut të liqenit, pa guxuar të shkonim më fellë. Kur po mateshim të bënim vrapimin e dytë nga prapa dëgjuam një “kërc” të rënduar, pastaj një “bëlduf” e po n’atë ças ulërima fëmijësh... Këthyem kryet, kur, ç’të shihnim: ishte çarë akulli në një vënd dhe njëra këmbë Vasos i qe futur brënda. Vasoja ishte shtrirë sa gjatë gjerë mbi akull dhe s’lëvizte fare! E ngritëm shpejt e shpejt. Disa fshatarë nga bregu na shanë rëndë e na trembën se po çahej akulli i tërë e se do të mbyteshim. Ne u zumë ngushtë. U larguam shpejt e shpejt me të rendur e me të rrëshqitur drejt bregut. Por në buzë të liqenit vazhduam të rrëshqisnim gjersa ra zilja e mësimit.LODRA MBI AKULLPara leximit“Lodra mbi akull” është një nga tregimet e përmbledhjes “Të fala nga fshati”, të shkrimtarit Sterjo Spasse. Libri është ndërtuar nga një sërë letrash. Secili prej tregimeve është një letër që Ylli ia dërgon Sokolit, shokut të tij bashkëmoshatar. Ylli jeton në fshat, ndërsa Sokoli në kryeqytet. Autori ka paraqitur në libër vetëm letrat e Yllit, por prej tyre nënkuptohet edhe çfarë ka shkruar Sokoli, sepse përmbajtja e tyre përmendet. “Lodra mbi akull” është një prej letrave të Yllit, në të cilën ai përshkruan ditët e mbushura me lojëra, madje ndonjëherë të rrezikshme, të fëmijëve në fshatin e tij të bukur buzë liqenit. Sterjo Spasse (1914-1989) është një shkrimtar shqiptar që filloi të shkruajë në vitet ’30. Ndër shkrimet e botuara, përmendim: tregime, romane, por edhe studime pedagogjike e tekste shkollore. Spasse u dallua me krijimet e tij, sidomos në fushën e tregimit dhe në atë të romanit. Ai ka botuar katër përmbledhje me tregime: “Kuror rinie”, “Në krahët e një femre”, “Nusja pa duvak” dhe “Të fala nga fshati”, si dhe dhjetë romane, ndër të cilat: “Pse?”, “Afërdita”, “Ata nuk ishin vetëm”, “Afërdita përsëri në fshat”, “Kryengritësit” etj.makar – të paktën, fundja, qoftë. fellë – thellë.30

