Page 326 - Demo
P. 326


                                    3 Lexoni një pjesë të intervistës së gjuhëtarit Ethem Likaj rreth shqipes standarde. Mbani qëndrim rreth problemeve të ngritura në të. Aty ku e shihni të arsyeshme, propozoni zgjidhjet tuaja.Sa shqetësuese janë për ju problemet që has sot gjuha shqipe në të shkruar dhe në të folur,kur fjalët e huaja futen vend e pa vend? Në përdorimin e fjalëve të huaja duhet mbajtur një qëndrim i drejtë dhe i mbështetur shkencërisht dhe praktikisht. Dihet se disa nga fjalët e huazuara janë bërë pronë e gjuhës sonë, prandaj zëvendësimi i tyre me fjalë të tjera të shqipes nuk mund të bëhet. Këto fjalë nuk dallohen më nga fjalët e tjera të shqipes; ato janë përvetësuar plotësisht nga shqipja, si: karrocë, fytyrë, pemë, qytet, shëndet, rrugë etj. Kanë zënë vend, natyrisht, edhe fjalët ndërkombëtare të fushave të ndryshme të veprimtarisë shkencore, politike, ekonomike, teknike, artistike dhe shoqërore, si: filozofi, gramatikë, mikroskop, radio, telegraf, kompjuter, biznes, balet, muzikë etj. Fjalët e tjera të huaja, kur përdoren − dhe më keq akoma, kur pranohen − pa nevojë, në qoftë se ne kemi fjalët tona, e dëmtojnë gjuhën. Ato mund të pranohen dhe të përdoren vetëm në ato raste kur sjellin një kuptim të ri a ngjyrim tjetër emocional a artistik, që nuk e ka shqipja. Por në kohën tonë gjuha shqipe është e hapur përballë gjuhëve të huaja, veçanërisht përballë anglishtes dhe gjuhëve të vendeve ku punojnë dhe jetojnë emigrantët tanë. Nga këto gjuhë, dhe nga gjuhë të tjera, shqipja ka marrë dhe do të marrë fjalë që nuk i ka vetë. Shumë emërtime të fushave të ndryshme, që kanë një zhvillim të veçantë e intensiv, do të vijnë në shqipe në mënyrë të natyrshme  bashkë me konceptet që shprehin. Këto huazime, të të dyja llojeve, kanë vlerë pasuruese, por, kur huazimi bëhet pa kurrfarë kriteri e pengese, kthehet në një dukuri të dëmshme për gjuhën. Prandaj duhen bërë përpjekje edhe për t’i penguar, edhe për t’i zëvendësuar këto huazime me fjalë shqipe me të njëjtin kuptim. Sipas jush, kush e dëmton gjuhën standarde? Ku duhet përqendruar vëmendja për mbrojtjen e saj?Në radhë të parë, gjuhën standarde e dëmton sot mendësia që ka filluar të shtrihet prej disa vitesh, se standardi nuk duhet të jetë i detyrueshëm, ose se ai nuk duhet shtrirë gjithandej, duke i lënë kufijtë e shtrirjes së tij thuajse të papërcaktuar. Pa pretenduar të jap një gjykim kategorik për karakterin e zbatimit të këtij standardi, për njohjen e tij nga të gjithë, mendoj se do të ishte më mirë zbatimi i tij nga të gjithë. Sido që të jetë, prirja që vihet re në disa raste për ta mënjanuar me qëllim atë, është shumë e dëmshme. Standardi jo vetëm që nuk ruhet, por dëmtohet keq, në qoftë se edhe specialistët me formim gjuhësor profesional, pra mësuesit e gjuhës shqipe, kur japin mësim, nuk flasin gjuhën standarde, por dialektin përkatës. Standardi dëmtohet edhe nga tekste të çdo lloji të shkruara keq, dëmtohet edhe nga çdo intelektual apo i shkolluar në përgjithësi, që priret të mos shkruajë apo të mos flasë në gjuhën standarde. Dëmtohet rëndë nga çdo shkresë zyrtare e shkruar në dialekt; dëmtohet nga gjuha e keqe e radios, e televizionit dhe e politikanit të çdo lloji etj.Sa i përket gjuhës shqipe në shkollë: ç’duhet bërë më tepër? A është e mjaftueshme lënda?Duhet mbajtur parasysh që gjuha standarde përgjithësisht mësohet në shkollë dhe kryesisht në ciklin që mbyll mësimin e gjuhës, por kjo nuk do të thotë se vazhdimi i mësimit të saj edhe më tej është i dëmshëm. Ka vende ku studimi i saj vazhdon edhe në shkollat e larta, në thuajse të gjitha specialitetet. Programet e hartuara kohët e fundit për këtë lëndë i përmbajnë mirë njohuritë që  duhet të marrin nxënësit; edhe tekstet kanë përmirësime të ndjeshme. Megjithatë, për hartimin e tyre, ka rëndësi zgjedhja e autorëve jo aq nga niveli i përgatitjes shkencore të tyre sesa nga përgatitja metodike. Do të ishte më mirë që hartimi i këtyre teksteve të bëhej nga mësues me kulturë, të përgatitur shkencërisht po e po, por edhe me përvojë metodike e mësimdhënieje, kurse redaktimi shkencor të bëhej nga pedagogë të shkollave të larta.324
                                
   320   321   322   323   324   325   326   327   328   329   330