Page 343 - Demo
P. 343


                                    Drejtshkrim Emrat në rasën gjinore shkruhen me nyjë të përparme (i, e, të, së): dyqani i luleve; ndërmarrja e ndërtimit; rrethit të Tiranës etj. Kur një emër i rasës gjinore vjen pas një emri tjetër në rasën gjinore a dhanore, numri njëjës, trajta e pashquar, shkruhet me nyjën e përparme të, pavarësisht nga gjinia që ka emri para tij: dëftesa e një nxënësi të Akademisë së Futbollit; dëftesa e një nxënëseje të shkollës 9-vjeçare; një atleti të skuadrës kombëtare etj. Kur një emër i rasës gjinore, pavarësisht nga gjinia që ka, vjen pas një emri të gjinisë mashkullore në rasën gjinore a dhanore, trajta e shquar, numri njëjës, shkruhet me nyjën e përparme të: zyra e kryetarit të Forumit Rinor; fuqia e krahut të punëtorëve etj. Kur një emër i rasës gjinore, pavarësisht nga gjinia që ka, vjen pas një emri të gjinisë femërore në rasën gjinore a dhanore, trajta e shquar, numri njëjës, shkruhet me nyjën e përparme së:historia e luftës së popullit shqiptar; përvjetori i shpalljes së pavarësisë etj. Kur një emër i gjinisë femërore, në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore, numri njëjës, përcaktohet nga dy ose disa mbiemra të nyjshëm dhe nga një ose disa emra në rasën gjinore, fjala përcaktuese e dytë dhe të tjerat pas saj marrin nyjën të dhe jo së: (i, e, të, së) fabrikës së re të këpucëve; (i, e, të, së) rrjedhjes së poshtme të Vjosës dhe të Semanit; (i, e, të, së) klimës së butë e të qëndrueshme të Vlorës, të Himarës, të Sarandës etj. Kur pas një emri të gjinisë femërore, trajta e shquar, rasa gjinore, dhanore a rrjedhore, numri njëjës, vijnë dy a më shumë emra të gjinisë femërore në rasën gjinore, numri njëjës, nga këta të fundit i dyti dhe të tjerët pas tij marrin nyjën e përparme së dhe jo të në rastet kur përcaktojnë emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre; por në rastet kur këta përcaktojnë jo emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre, por atë që ndodhet para atij, shkruhen me nyjën të dhe jo së: përmirësimi i cilësisë së racës së lopës së Shkodrës; zhvillimi i industrisë së naftës të Shqipërisë (është fjala për industrinë [e naftës] të Shqipërisë) etj. Kur një emër i gjinisë femërore, rasa gjinore, numri njëjës përcaktohet nga dy ose më shumë emra të bashkërenditur, që janë po në rasën gjinore, emri i dytë përcaktues e të tjerët pas tij marrin nyjën e përparme të dhe jo së: prodhimet e fushës së Korçës, të Myzeqesë, të Thumanës e të Zadrimës; punimet e stinës së pranverës, të verës, të vjeshtës, të dimrit etj.  Kur një emër përcaktohet nga dy a më shumë emra të bashkërenditur të rasës gjinore, të gjithë këta përdoren zakonisht me nyjë të përparme: stacioni i taksive dhe i autobusëve; (i, e, të, së) stacionit të taksive dhe të autobusëve; Ministria e Arsimit dhe e Sportit etj. 7 Drejtshkrimi i nyjës së përparme të emrave (i, e, të, së)341
                                
   337   338   339   340   341   342   343   344   345   346   347