Page 362 - Demo
P. 362
Bëhet kujdes për shkrimin dhe shqiptimin e plotë të tingujve të patheksuar, të diftongjeve, të grupeve të bashkëtingëlloreve etj. Fjalitë lidhen në paragrafë dhe këta të fundit organizohen duke ruajtur lidhjen e brendshme të tekstit. Vihet re një përdorim më i shpeshtë i ndërtimeve emërore përkundrejt atyre foljore, si për shembull: Rënia e shirave në mënyrë të vazhdueshme, u bë shkak për bllokimin e rrugëve. Ndërtimi foljor mund të ishte: Rrugët u bllokuan, sepse binte shi pa ndërprerë. Ka një përdorim të shpeshtë të fjalive të përbëra, ndër të cilat mbizotërojnë ato me nënrenditje. Për pasojë, në vend të lidhëzave të thjeshta, ligjëruesi përzgjedh lokucione lidhëzore, si: pavarësisht se, duke qenë se, në krahasim me, me kusht që etj. Një vend të gjerë zë leksiku terminologjik. Në ligjërimin e shkruar gjejmë përdorime të tilla si: medikamentet të merren nëpërmjet gojës, përkundrejt të pish ilaçet; stacioni hekurudhor përkundrejt stacioni i trenit; produkte qumështi përkundrejt bulmet etj.B. Tiparet dhe mjetet gjuhësore me të cilat shprehen stilet e ndryshme në gjuhën shqipeKujtojmë që për të përmbushur nevojat e komunikimit sipas fushave dhe funksioneve të ndryshme, folësit kalojnë nga njëri stil i gjuhës në tjetrin, duke u kushtuar vëmendje tipareve dhe mjeteve gjuhësore për secilin lloj. Në stilin shkencor-teknik synohet që informacioni të jepet i formuluar sa më saktë, të jetë i ngjeshur dhe pa shmangie kuptimore, gjë që bën të ketë shumë përkufizime, formulime apo formula për dukuri abstrakte. Fjalitë janë të zgjeruara me grupe fjalësh dhe pjesë fjalish që përgjithësisht janë në marrëdhënie nënrenditjeje mes tyre. Kjo bën që të vihen në përdorim mjete lidhëse më të ndërlikuara, si shprehjet lidhëzore apo fjalët lidhëse që nuk hasen rëndom në të folurit e përditshëm. Mbizotërojnë ndërtimet emërore përkundrejt atyre foljore. Përdoren shumë folje të mënyrës dëftore, në kohën e tashme dhe fjalë e shprehje, si: mund, ndoshta, përgjithësisht etj., për të shmangur pohimet absolute. Bërthamën e leksikut shkencor e përbëjnë termat. Me anë të stilit juridiko-administrativ mbulohet veprimtaria me shkrim e me gojë në fushën ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore dhe gjithë puna administrative lidhur me to. Gjuha e përdorur synon standardizim sa më të lartë, ndaj këtu vihen re lehtë këto tipare dhe mjete gjuhësore: Mbizotërimi i stereotipave në të shkruar e në të shprehur, si për shembull: sipas ligjeve në fuqi, marrja e masave administrative, hyrja në fuqi, shfuqizimi ligjit etj. Respektimi i modeleve të paracaktuara për hartimin e shkresave të ndryshme. Format standarde të shkrimit të datës, adresës, formulat e gatshme të hyrjes dhe të mbylljes së tekstit, nënshkrimi i tij etj. Për shembull: Unë, i nënshkruari... në cilësinë e... deklaroj se... Gjuha duhet të jetë e qartë dhe pa shmangie të mundshme kuptimore. Tiparet gjuhësore të stilit shkencor-teknikTiparet gjuhësore të stilit juridiko-administrativ360

