Page 44 - Demo
P. 44


                                    Shkruajmë Mes miqsh1 Lexoni pjesën e mëposhtme dhe vendosni numrat nga 1-5 para çdo paragrafi, duke ndjekur rrjedhën logjike të zhvillimit të ngjarjeve. U futa brenda. Kishte radhë karrigesh të zëna qysh herët, vargje zbukuruese shumëngjyrëshe, ishte prifti, Ferraroja, madje edhe drejtori i shkollës fillore dhe Olivieroja. Mësuesi tha se kishte vendosur t’i vlerësonte me nga një libër për kokë të gjithë lexuesit që sipas regjistrave të tij ishin më të zellshëm. Meqë ceremonia po fillonte dhe huazimi i librave hë për hë qe pezulluar, u ula në fund të sallës. Kërkova Lilën, por pashë vetëm Xhiliola Spanjuolon bashkë me Xhinon dhe Alfonson. U struka në karrige, gjithë sëkëlldi. Pas pak, pranë meje u ulën Karmela Peluzo dhe i vëllai, Paskualja. U përshëndetëm dhe unë mbulova më mirë me flokë faqet e acaruara. Një të diel, e shtyrë prej një ftese që kishte ardhur me postë në emrin tim, me të cilën mësues Ferraroja më ftonte një paradite në bibliotekë, vendosa më në fund të dilja. U përpoqa të bëhesha e bukur, siç më qe dukur qysh e vogël se isha, siç doja të besoja se isha ende, dhe dola. Kalova ca kohë duke shtypur puçrrat, por vetëm sa e acarova më keq dhe e bëra flakë fytyrën, vura byzylykun e argjendtë të sime mëje dhe lëshova flokët. Por sërish s’më pëlqeu vetja. Në ankth, mes të nxehtit të asaj stine që zinte vend mbi lagje qysh në mëngjes, si një dorë e përvëluar nga temperatura, bëra rrugën deri në bibliotekë. Nga turma e vogël e prindërve dhe e fëmijëve të fillores e të tetëvjeçares që po dyndeshin te hyrja kryesore, e kuptova menjëherë që s’do të ishte si zakonisht.  Teksa dilnim, ndërkohë që Karmela u bashkua gjithë mllef me Xhiliolën që fjalosej e lumtur me Xhinon dhe Alfonson, Paskualja më tha në dialekt gjëra që më bënë të qeshja edhe më shumë, për Rinon që i tretej shikimi mbi libra, për Fernando këpucarin që s’flinte natën vetëm e vetëm që të lexonte, për zonjën Nuncia që lexonte në këmbë teksa gatuante makarona me patate, me librin në njërën dorë e në tjetrën garuzhdën. Në fillore – më rrëfeu me lot në sy nga të qeshurat – kishte qenë në të njëjtën klasë e në të njëjtën bankë me Rinon dhe të dy së bashku, si ai dhe shoku i vet, edhe duke e ndihmuar njëri-tjetrin, pas gjashtë a shtatë vjetësh shkollë, përfshi përsëritjet, mund të lexonin maksimumi tabelat e dyqaneve: Kinkaleri, Sallameri, Postë-Telegraf. Ndaj më pyeti se cili ishte çmimi që kishte marrë ish-shoku i vet i shkollës. Ceremonia e vogël nisi. Të vlerësuarit me çmim ishin: e para Rafaela Çerulo, i dyti Fernando Çerulo, e treta Nuncia Çerulo, i katërti Rino Çerulo dhe e pesta Elena Greko, pra unë. Mua më erdhi për të qeshur, po ashtu edhe Paskuales. U pamë dhe mbytëm të qeshurat, teksa Karmela na pëshpëriste me ngulm: “Pse qeshni?”. S’iu përgjigjëm: u pamë sërish dhe qeshëm me dorën te goja. Kështu, me të qeshurën që e ndieja ende në sy, duke u ndier befasisht mirë, pasi mësuesi kërkoi më kot disa herë dikë nga familja Çerulo, u thirra unë, e pesta, të tërhiqja çmimin tim. Ferraroja më dorëzoi me shumë lavdërime “Tre burra në barkë” të Zherom K. Zherom, e unë e falënderova dhe e pyeta me një fije zëri: – Mund t’i tërheq edhe çmimet e familjes Çerulo, që t’ua çoj? Mësuesi më dha librat-çmime të të gjithë Çerulove.42
                                
   38   39   40   41   42   43   44   45   46   47   48