Page 66 - Demo
P. 66


                                    njohuritë. Dhe besoj se do t’i gjesh e do t’i lësh prapa gjithë ata profesorë Vinesat dhe temat e tyre që...− Profesorë Vinsonët, − i thashë unë. Edhe ai e kishte fjalën për profesorët Vinsonë, jo për Vinesat, por, megjithatë, m’u desh të ndërhyja.− Mirë, tamam profesorë Vinsonët, − tha ai. − Sapo t’i kesh lënë prapa këta profesorë Vinsonët, do të fillosh t’u afrohesh gjithnjë e më shumë njohurive. Midis të tjerash, do të zbulosh se nuk je njeriu i parë që çoroditet, frikësohet, madje edhe ndien pështirosje nga sjellja e njerëzve përreth. Se nuk je as i pari dhe as i fundit të cilit i ndodh kjo gjë, dhe kjo do të jetë për ty nxitje, stimulim për të mësuar. Janë të shumtë ata njerëz që shpirtërisht dhe moralisht janë ndier të turbulluar si ti tani. Fatmirësisht, disa prej tyre i kanë pasur vath në vesh këto turbullime. Nëse dëshiron, edhe ti do të nxjerrësh mësime prej tyre. Ashtu si një ditë, nëse ti ke diçka për të ofruar, të tjerët do të mësojnë prej teje. Kjo është një marrëdhënie e bukur, e ndërsjellë. Dhe nuk është edukim, është histori. Poezi. Heshti për një çast... Pastaj ia filloi përsëri. O çuna, ai qenkësh vërtet i frymëzuar, ia kishte marrë me të katra. Mirë që s’bëra asnjë përpjekje që ta ndaloja ose t’i ndërhyja. − Unë nuk dua të them se vetëm njerëzit e edukuar e të shkolluar janë në gjendje t’i japin paksa më shumë vlerë kësaj bote, se nuk është kështu. Por dua të them se njerëzit e edukuar e të përgatitur, nëse janë inteligjentë e krijues, çka fatkeqësisht është një rast i rrallë, janë të prirë që të lënë pas vetes pafundësisht gjurmë shumë më të vlefshme, në krahasim me njerëzit që janë vetëm thjesht inteligjentë e krijues. Ata janë të prirë të shprehen më qartë dhe zakonisht kanë pasionin që t'i ndjekin mendimet e tyre deri në fund. Dhe, çka është më e rëndësishme, nëntë herë në dhjetë janë shumë më modestë se mendimtarët e papërgatitur. A po më ndjek?− Po, profesor.Edhe një herë ai heshti për njëfarë kohe. Nuk e di në ju ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë, por në njëfarë mënyre është e vështirë kur pret që dikush të të thotë diçka, dhe ai rri e mendohet. Ashtu është vërtet. Po mundohesha që të mos më hapej goja, dhe jo se isha i mërzitur, sepse nuk isha, por po më kaplonte një dreq gjumi, sa mezi qëndroja.− Pastaj studimet universitare do të të sjellin një shërbim tjetër. Nëse ti i ndjek për njëfarë kohe, do të fillojnë të të krijojnë një ide se çfarë lloj mendjeje ke, çfarë i përshtatet asaj dhe çfarë nuk i përshtatet. Kjo do të të bëjë që të mos kesh nevojë të harxhosh gjithë atë kohë duke provuar ide që nuk janë për ty, pra që nuk të përshtaten. Do të fillosh të njohësh përmasat e tua të vërteta dhe në bazë të tyre të pasurosh mendjen.Pastaj, krejt papritur mua m’u hap goja. Ç’bastard i pacipë u tregova, por nuk kisha ç’bëja!Gjithsesi, zoti Antolini filloi të qeshte.− Eja, − tha ai dhe u çua. − Eja të rregullojmë divanin tënd.Unë e ndoqa nga pas deri te dollapi, ku ai po mundohej të nxirrte nga rafti i sipërm ca çarçafë e batanije, por nuk po e bënte dot këtë. Kështu i zbriti të gjitha gjërat poshtë. Unë e ndihmova për t’i çuar te divani, të cilin e rregulluam që të dy. Ai nuk kishte fort haber nga kjo punë, se nuk e bënte siç duhej. Gjithsesi, mua nuk më bënte përshtypje. Isha aq i lodhur, sa po më zinte gjumi në këmbë.− Hë, ç’thonë ato dy shoqet e tua?− Hiç, mirë. − Unë mezi flisja.− Si është Selli? − Ai e njihte Selli Hejsin. Ia kisha prezantuar unë dikur.− Shumë mirë. E takova sot pasdite. − O çuna, po më dukej sikur kishte ndodhur njëzet vjet më parë! − Por nuk kemi shumë gjëra të përbashkëta.64
                                
   60   61   62   63   64   65   66   67   68   69   70