Robert Aliaj Dragot jeton dhe punon në Bruksel dhe në Tiranë, ku shënohen edhe fillimet e krijimtarisë së tij në pikturë, që është gjithashtu edhe pikënisja e të gjitha veprimtarive të tjera artistike që ai ka shpalosur. Në fund të viteve 90, pas një karriere të gjatë si këngëtar i spikatur i muzikës pop, Robert Aliaj Dragot pothuajse e braktisi muzikën për t’iu kthyer sërish fillimeve të tij në artin e pikturës. Vepra e Dragotit është simbolike dhe në të gjejnë përdorim të gjerë teknikat që përdoren në fotografi, televizion dhe film. Tematika e pikturave të tij është e larmishme dhe zakonisht varion nga politika në Shqipëri te detajet më banale të përditshmërisë. Për njëfarë kohe, ai e braktisi plotësisht pikturën për të realizuar filma me metrazh të shkurtër dhe video. Tashmë prej shumë vitesh në Bruksel, ai i ka kushtuar veçanërisht vëmendje një hulumtimi multimedial, duke eksperimentuar me fotografinë, imazhet në lëvizje, animacionet, tingujt dhe vetë pikturën, pa e humbur vetinë piktoreske. Kjo vëmendje e tij e ndan atë vetë mes një kurioziteti thelbësor të skenës artistike evropiane dhe një interesi të përtërirë për tronditjen e shpejtë të ndryshimit terapeutik, të cilit iu nënshtrua shteti shqiptar.
Botime PEGI ©2020 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.