Arthur Schnitzler (1862 -1931) ka qenë shkrimtar, dramaturg dhe mjek austriak me origjinë hebreje. Karrierën e nisi si mjek për ta lënë më pas atë profesion e për t’iu kushtuar tërësisht shkrimtarisë. Është ndër të parët që përdori “monologun e brendshëm” për të përshkruar fillin e mendimeve të personazheve të tij. Në gjithë veprën e Schnitzler-it dallohet gjurma e pashlyeshme e atit të psikanalizës Sigmung Freud-it, me të cilin e lidhte edhe një miqësi e ngushtë. I ndikuar prej tij, Schnitzler-i ka aftësinë të thellohet në hetime të holla psikologjike, mbështetur në hirin e ironisë dhe skepticizmit, gjithnjë pa i lënë asnjë shteg sentimentalizmit. Veprat e tij shpesh janë kontroversiale, sidomos për përshkrimin pa doreza të seksualitetit dhe ndikimit të tij mbi përditshmërinë tonë. Ka shkruar poezi, drama, novela dhe në secilën gjini ka qenë një individualitet krejtësisht i dalluar. Fräulein Else, Komödie der Verführung, Theresa, Flucht in die Finsternis janë disa nga titujt e tij më të njohur nga publiku mbarëbotëror. Kryevepra e tij, romani i shkurtër “Ëndërr”, përfaqëson edhe një nga shembujt më të arrirë të një historie-alegori. Botuesi, Raphael, pretendon se “Ëndërr” është një përfaqësim i vërtetë i jetës personale dhe kohës së Schnitzler-it. I martuar dhe me dy fëmijë, ai njihej për përndjekjen e pangopur ndaj grave të reja. Pas vdekjes, dyshimit për moralitet të dobët, iu shtua dënimi i veprës së tij nga regjimi nazist.
Botime PEGI ©2020 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.