Elsa Morante u lind në Romë, më 18 gusht 1912. Në vitin 1936 fillon bashkëpunimin me revistën “Meridiano di Roma”. Po në të njëjtin vit, njihet me Alberto Moravia-n me të cilin fillon një marrëdhënie dashurie. Bashkëpunon me të përjavshmen “Oggi”. Përkthen “Scrapbook” të Katherine Mansfield-it (“Libri i shënimeve”, Longanesi 1941). Më 14 prill 1941, Elsa martohet me Alberto Moravia-n. Pranë botuesit “Garzanti”, në kolanën “Delfini”, del përmbledhja e tregimeve “Loja e fshehtë”. Kësaj periudhe, i përket fletorja e shkollës me titull “Narcizi”. “Në shtator 1942, del nga “Einaudi” përralla “Aventurat shumë të bukura të Katerisë me gërsheta” (bërthama origjinale e së cilës i përket kohës së gjimnazit), e ilustruar nga vetë Morante. Ndërkaq, zë fill shkrimi i romanit “Gënjeshtër dhe magji” që fillimisht titullohej “Jeta e gjyshes sime”. Në gusht 1948, “Gënjeshtër dhe magji” fiton çmimin “Viareggio”. Në vitin 1950, fillon bashkëpunimin me të përjavshmen “Il Mondo”. Në periudhën prill–qershor 1951, shkruan tregimin “Shalli andaluzian” që do të botohet në “Botteghe Oscure” më 1953-shin. Në pranverën e vitit 1952, fillon të shkruajë “Ishulli i Arturit”, i botuar nga Einaudi në 1957-n, me të cilin do të fitojë çmimin “Strega”. Në 1961, Morante dhe Moravia ndahen. Elsa vazhdon të punojë për një roman që nuk e pa kurrë dritën e botimit, prej të cilit janë marrë shumë prej personazheve dhe temave të romanit “Historia”. Ky roman u botua në 1974-ën, korri sukses ndërkombëtar, por pati dhe sulme të jashtëzakonshme nga disa kritikë. Romani i fundit i Morante-s është “Arakoeli”, botuar më 1982-shin. Për shkak të një frakture të femurit, sëmuret rëndë dhe orvatet të vrasë veten, më 1983. Vdes më 1985-ën, pas një infarkti shkaktuar gjatë një operacioni të dytë kirurgjikal. Më 2012 u botua një përmbledhje me 596 letra të dhe drejtuar Elsa Morante-s me titull “E dashura”, nën përkujdesjen e të nipit, Daniele Morante, në bashkëpunim me Giuliana Zagra-n.
Botime PEGI ©2020 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.