Gurët e vetmisë
Përshkrimi
E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja gërshetohen dhe rrjedhin lirshëm nga njëra te tjetra si të ishin enë komunikuese, retrospektiva dhe kujtimet herë pas here bëhen njësh, dhe vetë personazhet gjenden në një kohë të pakohë. Boshti i romanit përsillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit. Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had. Avduli fantazmë kërkon të paralajmërojë jo vetëm të birin, në të ardhmen, por edhe Feritin, në të shkuarën për mynxyrën e madhe që po gatitet. Oguret e zeza që përshkojnë kohërat duan ti nxitin njerëzit të lënë laçkë e plaçkë e të ikin, të shpëtojnë kokën. Armiku kërkon jo vetëm kamjen e tyre, por të ndërrojnë gjuhë e emër, të asimilohen krejtësisht, derisa tu shuhet fara. Autori ka ditur të tregojë me mjeshtëri jetën e përditshme të fshatit, të ndarë vetëm teorikisht mes kaurësh dhe muhamedanësh, shoqëruar gjithnjë me nota humori, të shkaktuara hera-herës nga frika e së resë dhe padituria; ka sjellë dhembjen e dashurisë që lëshon shigjeta reale sa ta bën trupin gjak, erosin që ta humbet mendjen deri në delire. Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qeflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe.
Informacion mbi librin
Autori | Tom Kuka Enkel Demi |
---|---|
Cmimi | 800 Lekë |
ISBN | 978-9928-233-17-2 |
Kategoria | Botime letrare |
Nënkategoria | Autorë shqiptarë |
Viti botimit | 2018 |
Pesha | 380 g |
Numri faqeve | 210 |