Femrat
Përshkrimi
Shkrimtari i shthurur dhe alkooliku i paepur Henri Çinaski ka lindur për të mbijetuar. Pas dekadash të tëra punësh të papaguara, shkapërderdhje parash me gra dhe baste, edhe Çinaskit më së fundi i ndrin ylli i tij letrar. Në këtë furi fame dhe alkooli, Bukowski rrëfen haptas dhe pa asnjë nënkuptim një pasion magjepsës të tij: gratë dhe aventurat e tij të dashurisë, të vërteta apo të sajuara qofshin. Për të, ato janë burim i përhershëm tërheqjeje, një nevojë që nuk njeh prehje dhe nuk ndalet as para situatash nga më të pavolitshmet, më të turpshmet apo më të neveritshmet. Disa gra duan pak a shumë atë që do dhe ai – seksin e thjeshtë, pa komplikime – disa duan ta ndryshojnë, disa duan të kenë një lidhje normale me të e të pakta janë ato që duket se nuk mund ta pranojnë paaftësinë e tij për të mos fjetur me shumicën e grave që takon. Kërkimi i tij nuk resht përpara asgjëje, ndoshta sepse dashuria dhe lufta mes sekseve janë mjeti më i sigurt për shkrimtarin amerikan për të ruajtur lidhjet me realitetin. Histori të çuditshme, takime vulgare dhe groteske, bëma të paharrueshme a mjerane, dialogë të pacipë e të drejtpërdrejtë, në sfondin e një ekzistence endacake, të shënjuar nga maratona të gjata alkoolike. Një botë endacakësh e bohemësh, që askush më mirë se Bukowski ska ditur ta përjetësojë në faqet e një romani.
Informacion mbi librin
| Autori | Charles Bukowski |
|---|---|
| Cmimi | 1000 Lekë |
| ISBN | 978-9928-248-48-0 |
| Kategoria | Botime letrare |
| Nënkategoria | Dramë |
| Përkthyesi | Virgjil Muçi |
| Titulli origjinal | Women |
| Viti botimit | 2017 |
| Pesha | 444 g |
| Numri faqeve | 412 |



