Tre ujqit e vegjël
Përshkrimi
"Një Botim me të vërtetë plot humor, që i referohet përrallës së njohur “Tre derrkucët”. Tashmë, rolet janë ndërruar, ujku s’është më i ligu i përrallave dhe as derrkuci aq i mirë sa herët e tjera. Tre ujq, tashmë në moshën për të jetuar më vete, duan të ndërtojnë shtëpizën e tyre, mirëpo mëma i paralajmëron që të ruhen nga derri i keq dhe dinak, Runi-Runi. Si në përrallën klasike, ujqit e vegjël, përpiqen tri herë të ndërtojnë një shtëpi të fortë, por për çdo herë, derri i keq ua shkatërron atë. E megjithatë ata do të gjejnë një rrugëdalje, një zgjidhje surprizuese dhe të këndshme. Ndoshta fëmijët, që njohin historinë e vjetër, mund të çuditen dhe të pyesin “Po derrat nuk janë të fortë si ujqit. Si mund të jetë i rrezikshëm Runi-Runi?” Derri i madh dhe i keq personifikon njeriun e djallëzuar, personazhin që përpiqet, pa asnjë arsye të dukshme, të shkatërrojë e të prishë harenë. Në këtë metaforë, derri është përdorur si përfaqësues i errësirës që struket shpesh në shpirtin e njeriut, duke na kujtuar vagëllimthi “Fermën e kafshëve” të Oruellit. Siç do ta lexoni dhe vetë, në fakt, derri një arsye e ka dhe autori ka krijuar një fabul moderne që na lejon të reflektojmë mbi veten dhe mënyrën se si bashkëveprojmë me të tjerët. Ilustrimet në akuarel të Helen Oxenbury-t plotësojnë në mënyrë të përkryer tekstin e shkruar nga Trivizas. “Tre ujqit e vegjël” qe një nga librat më të shitur në Sh.B.A. dhe fitoi një sërë çmimesh dhe vlerësimesh letrare. Ai u shpall si një nga librat më të vlerësuar nga Shoqata e Librarëve Amerikanë (ALA Notable Book), libri më i mirë i Revistës së Bibliotekave Shkollore (School Library Journal) dhe fitoi çmimin e artë të përzgjedhjes së prindërve (Parents’ Choice Gold Award). Kjo vërtet është një përrallë për fëmijë të moshës 5-9 vjeç, por edhe të rriturit mund të nxjerrim mësimet e tyre nga historia e tre ujqve të vegjël. "
Informacion mbi librin
Autori | Evjenios Trivizas |
---|---|
Cmimi | 400 Lekë |
ISBN | 978-9928-233-36-3 |
Kategoria | Botime për fëmijë dhe të rinj |
Nënkategoria | 3-12 vjeç,Europa Krijuese |
Përkthyesi | Romeo Çollaku |
Viti botimit | 2019 |
Pesha | 194 g |
Numri faqeve | 34 |