
Mendimi kritik i një qytetari
Gilman Bakalli • 2018

Mendimi kritik i një qytetari
Autor:Gilman Bakalli
1000 Lekë
ISBN: 978-9928-233-15-8
Faqe: 344
Viti: 2018
Në këtë përmbledhje janë fotografuar momente të ndryshme të politikës, etikës, moralit, fesë, mediave etj. të shoqërisë shqiptare gjatë këtij tranzicioni të përhershëm. Në trajtimin e çështjeve, autori ka zgjedhur si model të tijin të preferuar mendimin kritik.
Me anë të mendimit kritik autori analizon dhe vlerëson informacionet, duke na dhënë një mënyrë për të mësuar zgjidhjen e problemeve të jetës. Falë përvojës së tij si pedagog, i specializuar në shkencat e komunikimit, nëpërmjet mendimit kritik ai bazohet në përpjekjen për të marrë vendime të paanshme, ku vlerat themelore janë: qartësia, rregulli, saktësia dhe provat.
Duke u bazuar në rezultatet e fundit të psikologjisë konjitive edhe Bakalli, si shumë edukatorë modernë, mendon se është më e dobishme (sidomos për studentët), të praktikojmë një mënyrë të menduari kritike sesa të mësojmë përmendësh një sasi të madhe informacionesh.
Ai e sheh mendimin kritik si aftësi konjitive: të proceseve të njohjes së kuptuar funksionalisht; pra për ti përdorur këto aftësi si një udhërrëfyes për sjelljen tonë. Prandaj mendimi kritik nuk përfshin vetëm marrjen dhe memorizimin e informacioneve e nuk përfundon në zotërimin e një ose disa aftësive që do të përdoren vetëm një herë, por përkon me përdorimin e këtyre aftësive që do të zbatohen në vazhdimësi.
Për të arritur një mendim kritik, autori nuk ndjek një radhë hapash të detyrueshëm: ai paraqet opinionet e ndryshme mbi çështjen që është duke shqyrtuar, duke e analizuar atë në çdo aspekt. Duke shqyrtuar argumente që përdoren për të mbështetur çështjen ai e nënndan çdo argument në përbërësit e tij themelorë, pra në propozime të thjeshta dhe vlerëson pasojat e çdo propozimi.
Gjatë leximit shohim se si autori mundohet të zvogëlojë paragjykimet në mënyra të ndryshme, ai shpesh shtron pyetje të cilat fillojnë me përemrin pyetës çfarë si: Çfarë do të thotë kjo? në vend që të mbetet i gozhduar në pyetjen Si është e mundur që kjo gjë është në kundërshtim me atë që kam besuar gjithmonë?.
Paragjykimet, stereotipet dhe iluzionet konjitive vazhdojnë të veprojnë në mendjen njerëzore me prepotencë e futen deri në shpirt, por një mendimtar kritik duhet të jetë në gjendje të dallojë situatat në të cilat është me vend ti frenojë.
Leximi dhe studimi i përmbledhjes së publicistikës së prof. Bakallit është sigurisht një ushtrim i vlefshëm për të zhvilluar mendimin kritik.