
Rebelimi i Lulus
Albatros Rexhaj • 2015
Rebelimi i Lulus
Autor:Albatros Rexhaj
700 Lekë
ISBN: 978-9928-200-32-7
Faqe: 136
Viti: 2015
Ky ditar i drejtohet Lúlus, pjesës më të fisme të njeriut, dhe në të shpaloset
një botëkuptim i ndryshëm e i ri, si reagim ndaj kohëve të vështira që po
kalojmë. Duke u nisur gjithnjë nga përjetimi i tij i problematikave apo
situatave të ndryshme, autori i jep zë ndjenjës, duke zgjedhur më të
thjeshtën dhe njëherazi më të vështirën prej udhëve për të komunikuar me
publikun. Në këtë rrafsh krejtësisht personal, ai shkruan për të shpëtuar, për
tu ndier i lirë, për të mos iu nënshtruar mentalitetit të kopesë, pra për të
mos u asgjësuar. Dhe rrugëdalja është imagjinata krijuese, ajo sjell
rezistencën brenda botëve të krijuara e të vërteta. Rezistenca shprehet me
kthimin e urrejtjes në dashuri, vërtetësinë e ndjenjave dhe të mendimeve në
një epokë hipokrizie, mosshkëputjen nga konteksti social, modestinë dhe
pranimin e vetvetes.
Por kjo letër e gjatë ka edhe një rrafsh shoqëror, në të cilin dallojmë një
analizë thumbuese ndaj elitave të llastuara shqiptare që nuk janë më të afta të
përfaqësojnë popullin, që vuajnë nga një varfëri shpirtërore e fshehur nga
bollëku material, që shfrytëzojnë vendin tonë si të ishte tokë e huaj dhe e
urryer. E këtyre elitave nuk mund tu kundërvihet populli, i lodhur, i
zhgënjyer, i përthithur në një labirint makabër manipulimi ku asnjëherë nuk
gjendet përgjegjësi, por vetëm pasqyrimi i tij i luhatshëm. E kështu njerëzit
kapërfyten mes tyre në luftën për mbijetesë duke i bërë jehonë pohimit: ...
sot duhet që me patjetër ti përkasësh dikujt, të jesh pjesë e një grupi apo klani, ndryshe
rrezikon të dështosh.... Ja tek ke konfirmimin e pastër se kritikat që të janë
dukur të parapërgatitura, i paska ndier të tilla edhe dikush tjetër; kurthet
qëllimshëm stisur, ia kanë stisur edhe dikujt tjetër; pafuqia për të bëzajtur,
paska kapluar edhe dikë tjetër; trysnia gati e papërballueshme nuk qenka një
trill i mendjes sate, si nuk është trill i mendjes së dikujt tjetër: është shtypëse!
Po zgjidhja? Zgjidhja nuk është e re, por e vetmja e mundshme sipas autorit:
refuzo ta luash këtë lojë, dil nga ky rreth, rebelohu! Vendose dashurinë në
qendër të jetës tënde dhe mbarte atë kudo, në çdo tavolinë, në çdo bisedë,
në çdo takim. ... dashuria është e vetmja forcë që ka fuqi të na kujtojë se kush jemi
dhe kujt i takojmë

Shiko te Bukinisti