Unë e di pse këndon zogu në kafaz
Libri me një fjali Në një botë të egër, ku të qenit zezake dhe grua njëkohësisht ta bën jetën të pamundur, Maya Angelou arrin të ringrihet si një grua fenomenale. Fragmente nga libri 1) Shpresonte për më të mirën, përgatitej për më të keqen dhe s’kishte gjë që ta kapte në befasi. 2) […] gjuha është mjeti me të cilin njerëzit komunikojnë mes tyre dhe që i dallon nga kafshët. […]Gjyshja jote thotë se ti lexon shumë. Sa herë ke mundësi. Kjo është gjë e mirë, por nuk mjafton. Fjalët thonë më shumë se çfarë gjendet në letër. Duhet zëri njerëzor për t’i mbushur me nuancat e një kuptimi më të thellë. 3) Të mbetesh pezull, e vetme, në litarin e nderë të papërgjegjësisë rinore, do të thotë të përjetosh bukurinë torturuese të lirisë së plotë dhe kanosjen e përhershme të mëdyshjeve. Janë të rrallë, mjaft të rrallë, ata që arrijnë t’i mbijetojnë adoleshencës. Pothuajse të gjithë dorëzohen para trysnisë së vagullt, por asgjësuese, që ushtron konformizmi i moshës së rritur. E kanë më të lehtë të vdesin e t’u shmangen konflikteve, sesa të përballojnë betejën e vazhdueshme me forcat e epërme të pjekurisë. 4) Nga jeta do të marrësh atë që ke investuar. Bëje me gjithë zemër atë që bën, pastaj lutu dhe prit. 5) Pikërisht në moshën e brishtë kur sulmohet nga forcat e natyrës, vajza e re zezake e gjen veten njëherazi nën zjarrin e trefishtë të paragjykimeve mashkullore, urrejtjes pa shkak të të bardhëve dhe pafuqisë së zezakëve.