Jeta e gënjeshtërt e të rriturve
Dy vjet para se të largohej nga shtëpia, im atë i tha sime ëme se isha shumë e shëmtuar. Ajo fjali u pëshpërit mbyturazi në apartamentin që prindërit e mi, me t’u martuar, e kishin blerë në zonën Rione Alto, në krye të rrugës San Giacomo dei Capri. Gjithçka – hapësirat e Napolit, drita blu e një shkurti të acartë, ato fjalë – ka mbetur e ngrirë. Kurse unë kam rrëshqitur dhe vazhdoj të rrëshqas edhe tani, brenda këtyre rreshtave që mëtojnë të më japin një histori, kur në fakt nuk janë asgjë, asgjë imja, asgjë që të ketë filluar vërtet apo që të jetë përmbushur përnjëmend: thjesht një lëmsh i ngatërruar që kurrkush, as kush po shkruan në këtë çast, s’e di në përmban fillin e duhur të një rrëfimi apo është veçse një dhembje e gafrruar, pa shpëtim.