A është, vallë, njeri...?
Përshkrimi
A është, vallë, njeri…? është libri i parë i Primo Levi-t, shkruar e botuar më 1947-ën menjëherë pas daljes nga kampi i përqendrimit në Aushvic. Në këtë libër, ai rrëfen përvojën e një viti të tërë, nga shkurti 1944 deri më 27 janar 1945, të kaluar në lagerin e Buna-Monovicit. Buna ishte një ndër 44 kampet satelitë të Aushvicit, në Silezinë e Sipërme, në territorin polak. Historia fillon me internimin e autorit në kampin për hebrenj në Fosoli dhe përfundon me çlirimin e kampit të Aushvicit nga ushtria ruse. Levi arriti të mbijetonte falë ushqimit shtesë, që një punëtor italian, Lorencoja, arrinte tia kalonte fshehurazi. Përvoja e Levi-t si një ndër të mbijetuarit e këtij Lageri famëkeq shpërfaqet në një prej librave më realistë e të thellë mbi ferrin që përjetuan gjithë bota e sidomos hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me stilin e zhveshur të një kronike, ai sjell dëshmi tronditëse të asaj mbijetese deri në çnjerëzim. Ky është libri i dinjitetit, i zvetënimit dhe i tëhuajzmit të njeriut përballë mekanizmave të pamëshirshme të shfarosjes në masë. Peripecitë e turmës, që tashmë ska emër, por veç një numër të vulosur si tatuazh i përjetshëm mbi parakrahun e majtë, rikujtohen pa asnjë fije retorike, duke ia lënë komentet në dorë vetë realitetit lebetitës. Nga kori i personazheve të paharrueshëm të librit ngrihet një mesazh i kthjellët moral e qytetar.
Informacion mbi librin
Autori | Primo Levi |
---|---|
Cmimi | 700 Lekë |
ISBN | 978-9928-200-44-0 |
Kategoria | Botime letrare |
Nënkategoria | Letërsi europiane,Histori,Biografi |
Përkthyesi | Genci Pjetri |
Titulli origjinal | Se questo è un uomo |
Viti botimit | 2016 |
Pesha | 243 g |
Numri faqeve | 196 |