“Parajsa e gogolëve”, titulli i parë në shqip nga Daniel Pennac
“Parajsa e gogolëve”, titulli i parë në shqip nga Daniel Pennac

10 October 2019

Humori i hollë, dhembshuria dhe dashuritë e një personazhi të veçantë dhe të familjes së tij të pazakontë; këto janë disa nga elementet e romanit të ri “Parajsa e gogolëve” i botuar nga Botimet Pegi, me autor një nga shkrimtarët francezë më të njohur, Daniel Pennac. Kryetari i një familjeje të çuditshme (gjashtë gjysmëvëllezër e gjysmëmotra) gjendet i pleksur në një histori të dyshimtë atentatesh, që vulos fatin e tij prej dashi, dash kurbani. Beniamin Maloseni punon në një Qendër Tregtare si dash kurbani… Ai paguhet që të mbartë të gjitha fajet e Qendrës Tregtare në sytë e klientëve. Kur në Qendër fillojnë të shpërthejnë bomba, që lënë pas nga një a dy viktima, situata komplikohet. Beniamini bie në dashuri, viktimizohet, bëhet hetues e i dyshuar në të njëjtën kohë… e gjitha kjo e treguar me një humor të hollë, që do t’ju bëjë të qeshni edhe në ditët tuaja më të zymta.Ky libër, i përkthyer në mbi 20 gjuhë, është libri i parë i sagës së Malosenëve. Pennac i vazhdoi aventurat e Beniaminit dhe familjes së tij edhe në pesë romane të tjerë po aq të hollë e të këndshëm sa edhe ky. Publiku i interesuar do të përfshijë gjithë lexuesit e rritur (30 vjeç e lart), dashamirësit e romaneve policeske dhe ata të romaneve rozë. Natyrisht, të gjithë ata që çmojnë humorin e thellë, do e preferojnë këtë libër. Kritika «Do të qeshni derisa t’ju dalin lot… një roman i një kategorie të veçantë.» Le Monde «Në shtëpinë e lagjes arabe të Belvillit, Beni luan rolin e babait të një turme të çrregullt gjysmëvëllezërish e gjysmëmotrash. E gjitha kjo është shumë e këndshme, madje tërheqëse…» Publishers Weekly «Skena të jashtëzakonshme, dialogë shumë zbavitës dhe personazhe simpatike e mbajnë lexuesin të mbërthyer. Një goxha libër.» Kirkus Uk Lexim të këndshëm!

Steve Jobs – Biografia e autorizuar
Steve Jobs – Biografia e autorizuar

10 October 2019

“Steve Jobs” është biografia e autorizuar e Steve Jobsit, themeluesit të kompanisë Apple. Ky libër që pati një sukses të jashtëzakonshëm nëpër botë, vjen edhe në shqip. Me më shumë se dyzet intervista të bëra në një periudhë dyvjeçare me Steve Jobsin, si dhe mbi njëqind intervista me shokë, familjarë, kundërshtarë, konkurrentë dhe kolegë, Isaacsonit iu dha një qasje “ekskluzive dhe e papërsëritshme” në jetën e tij. Rezultati qe ky libër i jashtëzakonshëmI parashikuar për botim në mars 2012, botimi u vendos të afrohej në nëntor 2011, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Jobsit. Por humbja e tij në 5 tetor 2011, bëri që libri të botohej edhe më herët, më 24 tetor 2011, në ShBA. Ky libër rrëfen jetën e themeluesit të kompanisë Apple nga lindja e deri në vdekjen e tij të bujshme. Aty zbulojmë, jo me pak habi, se si ky njeri aq krijues e i vullnetshëm, ishte edhe një maniak i përsosmërisë, një individ i egër, pa shumë skrupuj, me një karakter shumë të vështirë. Jobsi arrinte t’i egërsonte dhe t’i dëshpëronte njerëzit rreth tij. Por personaliteti dhe produktet qenë të ndërlidhura, ashtu siç janë të ndërlidhura hardueri dhe softueri në produktet Apple. Walter Isaacsoni ka thënë: “Tek e shihja që luftonte kundër sëmundjes me një vullnet shembullor e forcë emocionale që të habiste, filloi të më dukej shumë bindës dhe kuptova se sa shumë nga personaliteti i tij kishte hyrë në produktet që kishte krijuar. Pasionet, demonët, dëshirat, delli i artistit, djallëzia dhe fiksimi për kontroll ishin tërësisht të lidhura me qasjen e tij ndaj biznesit, prandaj vendosa ta shkruaj përrallën e tij si një rast studimor mbi krijimtarinë.” Publiku i interesuar Ky libër është për të gjithë ata …që kanë ose do të donin të kishin një iPod, iPhone, iPad, iMac ose MacBook …që e kuptojnë vlerën e artit të bashkuar me teknologjinë dhe rolin e tyre në jetën tonë të përditshme …që duan të zbulojnë jetën e një personi që u vajtua nga e gjithë bota dhe u quajt nga Obama si “shembull i gjenialitetit të shpirtit amerikan.”

Një himn ndaj lirisë amerikane
Një himn ndaj lirisë amerikane

10 October 2019

Nuk ndodh shpesh që zgjedhjet amerikane të ndezin debate mbi një filozof, por, që kur Mitt Romney zgjodhi Paul Ryan-in si kandidat për zëvendëspresident, bisedat kanë filluar të rrotullohen rreth ideve të shkrimtares-filozofe Ayn Rand. Thuhet që Ryan-i është një adhurues i Rand-it dhe, megjithëse është stërmunduar ta largojë veten nga e gjithë filozofia e saj, ai vazhdon të pranojë se romani “Revolta e Atlasit” është një histori e madhërishme. Ryan-i nuk është i vetmi që e mendon këtë. Që nga kriza financiare e 2008-ës, romani i Rand-it, i shkruar në 1957-ën, ka shitur më shumë se 1.5 milion kopje. Interesante është se pothuajse të gjitha ato shitje i përkasin SHBA-së. Pse kaq shumë amerikanë, duke filluar që nga studentët e deri te politikanët, flasin për romanin e Rand-it? Pse në Evropë librat e saj janë relativisht më të lënë pas dore? Përgjigjja e të dyja pyetjeve është e njëjta: “Revolta e Altasit” është një himn ndaj shpirtit amerikan. Shpirti amerikan karakterizohet nga pavarësia, individualizmi, liria politike, liria ekonomike dhe ambiciet prodhuese. Ky është kuptimi i jetës, mrekullisht i përmbajtur në sloganin e Revolucionit Amerikan: “Mos më nëpërkëmb”. Ishte i njëjti shpirt që i shtyu shumë amerikanë t’i kundërviheshin zgjerimit të ndërhyrjes dhe fuqisë shtetërore në 2008-ën. Ata jo vetëm që e shihnin “qeverinë e madhe” si një kërcënim ndaj ekonomisë, por ajo ishte një përbuzje ndaj gjithë asaj çfarë përfaqëson Amerika. Pas tetë vjetësh me Bushin dhe tetë minutash me Obamën, ata nuk e duruan më nëpërkëmbjen. Atlasi i flet këtij shpirti. Në një botë, fatkeqësisht të ngjashme me tonën, në një botë ku ekonomia po shkatërrohet, ku qeveria ndërhyn gjithmonë e më shumë dhe ku individët prodhues denoncohen dhe sfiliten për të mirën e individëve parazitë, tregohet historia e burrave dhe e grave që vendosin ta ndalojnë nëpërkëmbjen. Për më tepër, kjo histori dramatike përmban edhe një energji të fuqishme intelektuale: Atlasi i jep shpirtit amerikan një mbrojtje filozofike që nuk e ka pasur kurrë. Shpirti amerikan është akuzuar shpesh si i vogël, i pashpirt dhe materialist. “Revolta e Atlasit” i shkatërron të gjitha këto akuza. Aty tregohet se kapitalizmi është një sistem ku përfitojnë të gjithë, ku të gjithë individët janë të lirë të ndjekin lumturinë e tyre. Atlasi tregon se është e drejtë që individët të punojnë për lumturinë e tyre dhe se ata që mundohen të të “nëpërkëmbin”, të të kontrollojnë jetën, të rishpërndajnë pasurinë dhe të hipotekojnë të ardhmen tënde, janë moralisht gabim. Nuk është një rastësi pra, që popullariteti i pakufishëm i Ayn Rand-it në Amerikë nuk ka tejkaluar në Evropë. Për të njëjtën arsye, evropianët kanë përqafuar gjerësisht politikat ndërhyrëse të shtetit gjatë krizës postfinanciare, duke filluar nga infuzioni i parave në ekonomi e deri te rregulloret e reja dhe të gjera, ndërsa amerikanët u rebeluan. Çfarëdolloj slogani përfaqësoftë shpirtin evropian ndaj jetës, me siguri ai nuk është “Mos më nëpërkëmb”. Ayn Rand-i e shkroi “Revoltën e Atlasit”, të paktën pjesërisht, si një paralajmërim për amerikanët. Ajo besonte se, që në vitet 1890, Amerika kishte lëvizur nga rrënjët e saj të tregut të lirë dhe po shkiste drejt shtetëzimit (asaj do t’i ishte dukur absurd fakti i shumëbesuar që Amerika i ngjante sadopak tregut të lirë në vitet para krizës financiare). Për ta ndaluar këtë lëvizje, amerikanët duhet të përkthenin shpirtin e tyre individualist në një program ideologjik të saktë, një program që lartësonte individualizmin dhe kapitalizmin “laissez-faire” si ideale morale e politike. Për t’ia dalë mbanë në këtë detyrë, argumentonte Rand-i, amerikanët duhet të dyshojnë dhe të përbuzin idenë aliene të altruizmit. Altruizmi është doktrina e Botës së Vjetër, që thotë se është detyra jote të jetosh për të tjerët dhe të sakrifikosh interesat e tua vetjake për ta. Në një mënyrë apo në një tjetër, kjo doktrinë morale ka qenë justifikimi i çdo programi social. Thuhet se njerëzit e tjerë kanë nevojë që t’u paguhet pensioni apo shëndeti i tyre, prandaj ata kanë të drejtë t’i marrin këto lekë nga ti. Përndjekja individuale e lumturisë kundër altruizmit: kjo është zgjedhja para së cilës gjendet sot Amerika. Megjithëse Rand-i po i fliste kryesisht amerikanëve, ajo nuk po u fliste vetëm atyre. Ajo mendonte se shpirti i Amerikës është i hapur ndaj çdo individi të gatshëm të mendojë. Sot, teksa shtetet evropiane po ndërhyjnë gjithmonë e më shumë në ekonomi, ai shpirt dhe idetë e “Revoltës së Atlasit” janë të nevojshme më shumë se kurrë. (Don Watkins, Ayn Rand’s Atlas Shrugged: a paean to American liberty, “The Guardian”, 17 gusht 2012)

Përçmimi
Përçmimi

31 October 2019

“Përçmimi” është një vepër e shkëlqyer dhe trazuese e njërit prej mjeshtrave revolucionarë të letërsisë moderne europiane. Të gjitha cilësitë për të cilat është i njohur Moravia – qartësia e ftohtë shprehëse, vëmendja e tij fine ndaj kompleksitetit psikologjik, hapja e tij ende befasuese ndaj seksit – shfaqen qartazi në historinë e kësaj martese të dështuar. “Përçmimi” është një ekzaminim i pamëshirshëm i dëshpërimit dhe i vetëmashtrimit në zbrazëtinë emocionale të shoqërisë moderne të konsumit.