Page 17 - Gjiganti i fjetur
P. 17
15
Kazuo Ishiguro
Në fillim, i mbytën me pyetje barinjtë dhe atyre iu desh
ta përsëritin disa herë historinë. Pastaj, pak e nga pak, mes
dëgjuesve lindi njëfarë dyshimi. Histori të ngjashme kishin
qarkulluar shpesh, kujtoi dikush, dhe gjithmonë kishin dalë të
pavërteta. Dikush tjetër shtoi se, edhe pranverën e shkuar, të
njëjtët barinj kishin rrëfyer të njëjtën ngjarje, e më pas askush
s’kish parë asgjë. Barinjtë e mohuan me zemërim pretendimin
dhe shpejt turma u nda mes atyre që mbanin anën e barinjve
dhe atyre që thoshin se këtë histori e kishin dëgjuar edhe para
një viti.
Ndërsa grindja mori zjarr, Akselin e pushtoi ajo ndjenja e
njohur dhe bezdisëse se kishte diçka që nuk shkonte dhe, duke u
larguar nga britmat dhe të shtyrat, doli jashtë të sodiste qiellin e
errët dhe mjegullën që kullonte në tokë. Pas pak, në mendjen e tij
filluan të bashkohen pjesëzat e Martës së zhdukur, të rrezikut, se
si para pak të gjithë i ishin futur punës për ta gjetur. Por, që tani,
këto mendime ishin të turbullta, njësoj siç ndodh me ëndrrat;
me t’u zgjuar, dhe vetëm duke u sforcuar tej mundësive të tij,
Akseli arriti të përqendrohej te Marta e vogël, ndërsa gjithë zërat
e tjerë pas tij vazhdonin të grindeshin për shqiponjën trupvogël.
Befas, ai dëgjoi zërin e një vajze që këndonte nën zë dhe dalloi
Martën që u shfaq nga mjegulla para tij.
– Sa e çuditshme që je, moj vogëlushe, – tha Akseli, teksa ajo
i doli përpara duke kërcyer. – Nuk ke frikë nga errësira? As nga
ujqit dhe përbindëshat?
– Oh, sigurisht që kam, zotëri, – u përgjigj Marta, duke
buzëqeshur. – Por, atyre di si t’u fshihem. Shpresoj që nëna dhe
babai të mos më kenë kërkuar. Herën e kaluar e hëngra një të
bërtitur të mirë.
– A të kanë kërkuar? Sigurisht që të kanë kërkuar. I gjithë
fshati madje. E dëgjon si po grinden aty brenda? E gjitha për
shkakun tënd, vogëlushe.