Page 16 - Gjiganti i fjetur
P. 16
14 Gjiganti i fjetur
– Po të them se nuk e kam ëndërruar, princeshë. Para një
muaji, këtu e njihnin të gjithë dhe flisnin vetëm fjalë të mira.
Si ka mundësi që tani, askush s’e mban mend, përfshi edhe ty?
Duke ndërmendur atë bisedë në këtë mëngjes pranvere,
Akseli ishte gati të pranonte se qe gabuar për gruan flokëkuqe.
Për më tepër, tani ishte plakur dhe herë pas here i turbulloheshin
mendimet. Megjithatë, rasti i gruas flokëkuqe kishte qenë vetëm
njëra prej atyre ngjarjeve të mistershme. Fatkeqësisht, tani nuk po
i kujtoheshin shembuj të tjerë të ngjashëm, por ishin të shumtë,
për këtë ishte i sigurt. Si çështja e Martës, për shembull.
Marta ishte një vajzë nëntë a dhjetë vjeçe, e njohur për
guximin e saj. Historitë rrëqethëse për çka mund t’u ndodhnin
fëmijëve endacakë duket se nuk ia shuanin etjen për aventurë.
Kështu, një mbrëmje, një orë para se të binte errësira e mjegulla
dhe ujqit të kuisnin në male, u tha se Marta qe zhdukur; të
gjithë lanë çdo punë që kishin në dorë, të alarmuar. Për një
copë herë, në strofull u dëgjuan zëra që thërrisnin emrin e saj
dhe hapa të shpejtë përgjatë korridoreve, teksa banorët e fshatit
kërkuan në çdo kthinë, në çdo depo, në çdo zgavër trau, kudo
ku mund të fshihej një fëmijë për të luajtur.
Më vonë, në mes të trazirës, dy barinj që ktheheshin nga
stanet e tyre në male hynë në Odën e Madhe për t’u ngrohur
pranë zjarrit. Ndërkaq, njëri prej tyre deklaroi se, një ditë më
parë, një shqiponjë trupvogël u kishte fluturuar një, dy, tri
herë mbi krye. “Nuk ka asnjë dyshim, – shtoi ai, – ishte vërtet
një shqiponjë trupvogël.” Fjala u përhap shpejt në të gjithë
strofullën dhe një turmë njerëzish u mblodh rreth zjarrit për
të dëgjuar rrëfimin e barinjve. Edhe Akseli kishte nxituar t’u
bashkohej, sepse shfaqja e një shqiponje trupvogël në anët e tyre
ishte goxha lajm. Mes shumë fuqive që u njiheshin shqiponjave
trupvogla ishte edhe tipari për të trembur ujqit, për të cilët
thuhej se ishin zhdukur krejt e kudo falë këtyre zogjve.