Page 12 - Gjiganti i fjetur
P. 12
10 Gjiganti i fjetur
kish hyrë deri në palcë, por teksa futej brenda, dukej i kënaqur,
sepse atë mëngjes ia kishte dalë të kujtonte disa gjëra, të cilat i
kishte harruar prej kohësh. Për më tepër, ishte i vetëdijshëm që
së shpejti do t’i duhej të merrte një vendim të rëndësishëm – që
e kishte shtyrë për një kohë të gjatë – dhe në shpirt ndiente një
ngazëllim, të cilin mezi priste ta ndante me të shoqen.
Udhëkalimet në brendësi të strofullës ishin ende të zhytura
në errësirë të plotë, çka e detyroi që distancën e shkurtër deri
te kthina ta përshkonte me tahmin. Shumë nga “portëhyrjet”
brenda strofullës ishin thjesht harqe që shënonin pragun e çdo
kthine. Ky kompozim i hapur nuk e cenonte intimitetin e
banorëve, por bënte të mundur që dhomat të ngroheshin nga
nxehtësia që qarkullonte nëpër korridore prej zjarrit të madh,
apo prej zjarreve më të vogla që lejoheshin brenda strofullës.
Megjithatë, duke qenë se ndodhej larg çdo vatre zjarri, kthina
e Akselit dhe Beatrisit ishte pajisur me diçka që sot mund ta
njohim si derë; një kornizë e madhe prej druri e gërshetuar me
degë të vogla, hardhi dhe murriz, e cila duhej ngritur nga njëra
anë sa herë hyje e dilje, e që mbante jashtë rrymat e akullta.
Akseli mund të bënte edhe fare pa derë, por me kalimin e
kohës, ky objekt qe kthyer në një lloj krenarie për Beatrisin.
Shpeshherë, kur kthehej, rastiste ta gjente të shoqen duke
këputur degët e thara nga lesa, të cilat i zëvendësonte me bimë
të freskëta të mbledhura gjatë ditës.
Atë mëngjes, Akseli e shtyu lesën aq sa për të hyrë brenda,
duke u kujdesur të bënte sa më pak zhurmë. Rrezet e para të
agut depërtonin në kthinë përmes të çarave të vogla të murit të
jashtëm. Mezi arrinte të shquante përpara vetes dhe, në shtratin
me gjethe, trajtën e Beatrisit që bënte ende një gjumë të thellë
nën shtrojën e trashë.
Pati dëshirë ta zgjonte të shoqen. Një pjesë e tij ishte e
bindur që sikur, në ato çaste, Beatrisi të zgjohej dhe t’i fliste,