Page 7 - Saga e familjes Maia
P. 7
I
htëpia ku u vendosën Maiat në Lisbonë, në tetor të vitit 1875,
Snjihej nga banorët e rrugës “San Françisko de Paula”, madje
nga gjithë lagjja e Dritareve të Gjelbra, si “Shtëpia e gjetheve”, apo
shkurt “Ramaljeta”. Me gjithë këtë emër të freskët për një shtëpi
rrethinash, Shtëpia e gjetheve ishte e stërmadhe, me mure të trasha,
e rrethuar nga verandat e ngushta e me kangjella prej hekuri në
katin e parë, kurse mbi to e nën çati, ngriheshin një sërë dritaresh të
vogla, që i jepnin pamjen e trishtë të një rezidence ekleziaste. Madje
mund të krahasohej me një ndërtesë të kohës kur mbretëronte Dona
Maria e Parë, e po të kishte një kambanë dhe një kryq, do të ishte
e ngjashme me kolegjet jezuite. Emërtimi “Shtëpia e gjetheve”, me
siguri vinte prej fasadës së saj, veshur me pllaka qeramike me degë
të gdhendura, ku ishte lënë vend për stemën heraldike, e cila s’dihej
për ç’arsye nuk u vendos kurrë, dhe përfaqësohej nga një buqetë
luledielli, lidhur me një fjongo, ku dalloheshin qartë germat dhe
numrat e një date.
Për vite me radhë kish qenë e pabanuar dhe plot me rrjeta
merimangash në kangjellat përreth; të linte përshtypjen e një
shtëpie të rrënuar. Më 1858-ën, At’ Bukarini, Nunci i Santa
Santidades, i joshur prej pamjes kishtare të ndërtesës dhe paqes së
plotë që mbretëronte në atë lagje, e pat vizituar me idenë që të
vendoste aty selinë e vet. Madje dhe pjesa e brendshme e saj i pati
pëlqyer shumë, tavanet e gdhendura, muret e veshura me afreske,
ku vareshin gonxhe trëndafilash dhe shquante portreti i Kupidit.
Por për monsinjor Bukarinin, me zakonet e një prelati të kamur
roman, lypsej që ndërtesa të kishte edhe kopshtije e shatërvanë, si
në çdo kopsht luksoz, ndërsa Shtëpia e gjetheve kishte vetëm një
kopshtije gati të padukshme – dhe kjo në fund të bahçes, pasi të
kaloje nëpër një verandë të mbuluar me tjegulla – mbushur plot
me barishte të egra që rrethonin një qiparis, një katarakt të tharë,
një pemë aromatike, një rezervuar uji dhe një statujë mermeri
(tek e cila, monsinjori njohu menjëherë perëndeshën Afërditë), që