Page 8 - Saga e familjes Maia
P. 8
6 Saga e familjes Maia
mezi e shihje në atë qoshk plot barishte. Përpos kësaj, qiraja që
kërkoi plaku Villasa, administratori i Maiave, iu duk tepër e lartë
monsinjorit, i cili e pyeti mos mendonte se Kisha ishte ende si në
kohën e Leonit X. Villasa u përgjigj se “edhe fisnikët e sotëm nuk
janë ata të kohës së Don Zhoaos së Pestë”, kështu që Shtëpia me
gjethe mbeti e shkretë.
Për këto arsye, ajo gërmadhë (siç e quante Villasa i ri, biri i
plakut, që pas vdekjes së të atit zuri vendin e tij) u vu në përdorim
vetëm në fund të vitit 1870, kur u sollën mobiliet dhe porcelanet
nga pallati i familjes Maia në Benfika, një godinë gati historike, e
cila si ndenji njëfarë kohe në ankand, u ble nga një fisnik brazilian.
Po atëkohë u shit edhe një tjetër pronë e Maiave, çifligu i
Tozheirës; madje disa lisbonas, që ende i hante meraku për Maiat
dhe që e dinin se qysh prej kohës së Rilindjes kombëtare, kjo familje
jetonte në domenin e saj, në Santa Olavia, në breg të Douros, e
patën pyetur Villasën se mos Maiat kishin mbetur trokë.
“Një copë bukë për të ngrënë, e kanë, – u qe përgjigjur Villasa,
– madje të lyer me gjalpë”.
Maiat ishin një familje e vjetër nga Beira, gjithmonë e
pakët në numër e pa shumë farefis apo lidhje të largëta, mirëpo
tashmë qe katandisur në dy zotërinj: i zoti i shtëpisë, Afonso
da Maia, një burrë në moshë të thyer, gati njëshekullor, si
dhe nipi i tij, Karlosi, që studionte për mjekësi në Koimbra.
Kur shkoi në Santa Olavia, të ardhurat e Afonsos ishin gjithë-
gjithë pesëdhjetë mijë kruzados, por ai kishte rezervë kursimet
e njëzet viteve në vendlindjen e tij, në fshat. Kësaj pasurie iu
shtua edhe trashëgimia nga një kushëri i largët, Sebastian da
Maia, i cili, që prej vitit 1830, pat jetuar në Napoli dhe merrej
me numizmatikë. Ja përse administratori Villasa ironizonte kur
fliste për Maiat dhe copën e bukës.
Shitjen e çifligut të Tozheiras e kish rekomanduar vetë Villasa,
ndonëse kurrë nuk e kishte dashur largimin e Don Afonsos
nga Benfika, vetëm e vetëm ngaqë ato mure kishin parë shumë
drama familjare, çka sipas Villasës, u ndodhte të gjitha shtëpive.
Sidoqoftë, veç Shtëpisë së gjetheve, ashtu e shkretë siç ishte, Maiat
nuk kishin tjetër në Lisbonë; por nëse Afonsoja, për moshën që
kishte, e donte shumë qetësinë që i falte Santa Olavia, i nipi, një
djalë me shije dhe i dhënë pas luksit, i cili i bënte pushimet në