Page 10 - Saga e familjes Maia
P. 10
8 Saga e familjes Maia
vendas do ta kishte pranuar edhe këtë ofertë, mirëpo, papritur, u
emërua guvernator në njërën prej kolonive.
Pas një viti që Karlosi shkonte e vinte në Lisbonë për të
ndjekur punimet apo edhe për të bërë ndonjë vërejtje, nga Shtëpia
e gjetheve kishte mbetur vetëm fasada e trishtë, të cilën zoti
Afonso nuk deshi ta ndryshonte, pasi e konsideronte fizionomi
të saj. Edhe Villasa vetë e pohonte me plot gojën se zoti Xhon
Bull, (sikurse e thërriste anglezin) pa bërë harxhe të kota, e kishte
shndërruar Ramaljetën në muze të vërtetë, duke përfshirë edhe
disa prej objekteve antike që u sollën nga Benfika.
Çfarë e habiste jo pak, ishte pikërisht oborri, i cili dikur
dukej i zymtë, i zhveshur, i mbuluar me kalldrëm, ndërsa tani
shkëlqente nga pllakat e mermerit të bardha e të kuqe, nga
bimët dekorative, vazot e mëdha prej kimperi dhe dy pankina
prej druri të stilit feudal – të gdhendura e madhështore si ato
të korit në katedrale – të cilat Karlosi i kishte sjellë nga Spanja.
Në hyrje të shtëpisë, një tendë prej cohe orientale, ashtu siç
edhe divanet, kolltukët e qilimat persianë, që mbytnin hapat
e njerëzve; ndërsa në mure, pjata prej bakri që shkëlqenin në
një harmoni ngjyrash të forta e ku mes bardhësisë së panjollë
të mermerit, shquhej statuja e një vajze lozonjare, që qeshte
teksa vinte këmbën në ujë. Pastaj vinte një korridor i gjerë, i
zbukuruar me orenditë e mira, të sjella nga shtëpia në Benfika,
arka gotike, zbukurime qelqi nga India, si dhe tablo të vyera.
Sallat më të mira të shtëpisë çonin të gjitha në këtë galeri. Në
sallonin e miqve, që rrallë përdorej, kishte mjaft mbulesa kadifeje
në atë ngjyrën e muzgut të vjeshtës e po atje ishte edhe portreti
i vjehrrës së Afonsos, konteshës De Runa, me kapelën me tri
pendë dhe një veshje që shkëlqente, atë të një gjahtareje angleze,
në një sfond gri e plot me re. Në krah të tij, një sallon më i
vogël, ai i muzikës, të kujtonte atmosferën e shekullit XVIII,
me orendi të praruara e mëndafshe të shndritshme, ndërsa dy
banda muri Gobelini me nuanca të zbehta të grisë shpalosnin
mbi mure pamje nga jeta baritore.
Përballë ishte salla e bilardos, muret e së cilës ishin të veshura
me një lloj të ri letre, që Xhoni e kishte sjellë me vete, ku mes
të gjelbrës së errët spikatnin lejlekët e bardhë. Aty ishte edhe një
kënd për të pirë duhan, qoshja më e rehatshme e shtëpisë, me