Page 11 - Saga e familjes Maia
P. 11
José Maria Eça de Queirós 9
minderet me shilte të ngrohta në ngjyrë të errët, mes një sfondi që
shndriste nga fajancat holandeze përreth.
Në fund të korridorit ishte studioja e Afonsos, e veshur me
damask të kuq si dhomat e prelatëve të dikurshëm. Tavolina e
madhe me ngjyrë të zezë, raftet prej dru lisi, të gdhendura, rregulli
solemn i dosjeve, të gjitha këto e bënin mjedisin hijerëndë. Në
mur qe varur një tablo e Rubensit, trashëgimi e vyer e familjes, me
Krishtin e kryqëzuar, që shpaloste lakuriqësinë e tij prej atleti nën
një qiell shpërthyes e të zymtë. Në njërin krah të oxhakut, Karlosi
vendosi një karrige lëkundëse japoneze, me krahë të larë në ar e
me lëkurë ujku të bardhë; pranë saj vuri një poltronë të gjerë me
dy krahë, sixhadeja e së cilës shpaloste stemën e Maiave të thurur
me fije mëndafshi.
Në katin e dytë, përgjatë korridorit të të cilit ishin varur
portretet e familjes, ishin dhomat e Afonsos, kurse për vete,
Karlosi vendosi të merrte një kënd tjetër të shtëpisë, që kishte
hyrje të veçantë dhe me dritaret që binin mbi kopsht – një mjedis
me tri dhoma njëra pas tjetrës, të gjitha pa dyer, të shtruara me të
njëjtin tapet, me kolltukë të butë, të veshur me mëndafsh ashtu si
muret, çka sipas Villasës, i jepnin pamjen e një salle balerinash dhe
jo atë të kabinetit të mjekut.
Si u rindërtua e tëra, për disa kohë shtëpia mbeti bosh, sepse
Karlosi, tashmë i diplomuar, po udhëtonte nëpër Europë, kështu
që vetëm në vjeshtën e artë të vitit 1875, Afonsoja vendosi të
shpërngulej më në fund nga Santa Olavia për t’u vendosur në
Ramaljetë. Prej njëzet e pesë vjetësh nuk kishte vënë këmbë në
Lisbonë dhe disa ditë pas shpërnguljes, i rrëfeu Villasës se i vinte
keq që kish ikur nga Santa Olavia. Por, ç’të bënte! Nuk donte të
jetonte pa të nipin, për më tepër tani që Karlosi sikur e kishte
marrë seriozisht karrierën e tij profesionale dhe për këtë lypsej të
banonte në Lisbonë... Ç’është e drejta, jo se nuk i pëlqente ajo
shtëpi e rinovuar – ndonëse Karlosi, me pasionin e tij për luksin e
vendeve të ftohta, e kishte tepruar me tapiceri e perde të rënda, të
kadifenjta. I pëlqente fqinjësia e mirë në atë zonë, edhe qetësia që
mbulonte atë lagje larg qytetit, që përgjumej nën diell. I pëlqente
edhe kopshti i saj jo shumë i madh, që natyrisht, nuk ngjante
me kopshtijet e Santa Olavias, por megjithatë kishte një pamje
të këndshme me ato lulet e diellit në të dyja anët e shkallares së