Page 9 - Saga e familjes Maia
P. 9
José Maria Eça de Queirós 7
Paris e Londër, nuk e honepste fare atë çiflig, jo më të rronte
në provincën e Douros, sidomos pas mbarimit të studimeve.
Për pasojë, disa muaj para kthimit të tij nga Koimbra, ku dhe u
diplomua, Afonsoja e thirri Villasën dhe e njoftoi për vendimin
e tij: tani e tutje do të jetonin në Ramaljetë, pra te Shtëpia e
gjetheve. Administratori renditi aty për aty të gjitha pasojat që do
të kishin në atë ndërtesë të stërmadhe, për më tepër që lypsej të
bëheshin shumë punime e tërë ato shpenzime. Madje, mungesa e
një kopshti të madh atje, ishte tepër e rëndë për këdo që kish parë
bahçen dhe pemët në Santa Olavia. Ai arriti deri aty sa të aludonte
edhe për një legjendë, sipas së cilës, muret e asaj godine ishin fatale
për Maiat... “Ndonëse, – shtoi ai nën zë, – më vjen turp që po
flas për këto broçkulla tani, në shekullin e Volterit, Gisosë dhe
filozofëve të tjerë liberalë...”
Afonsoja qeshi kur dëgjoi këto fjalë dhe i tha Villasës se arsyet
që shtronte, ishin të shkëlqyera, por atij gjithnjë ia kishte dashur
zemra të banonte nën çatinë që tradicionalisht ishte e tija; kështu
që, nëse kishte nevojë për punime, ato duheshin bërë, e sa për
kopshtijet me shatërvan dhe për legjendat, mjafton të hapje të
gjitha dritaret tej e tej, që në shtëpi të hynte dielli.
Ishte urdhri i Zotërisë dhe, duke qenë se bënte dimër i thatë,
punimet e shtëpisë filluan menjëherë, nën drejtimin e zotit Esteves,
arkitekt, politikan dhe fijan i Villasës. Ky artist do ta ngazëllente
Villasën me një projekt me një shkallare të bukur në hyrje, në të
dyja anët e së cilës do të kishte dy statuja, që simbolizonin fitoret
e portugezëve në Indi dhe në Guine, ndërkohë që për dhomën e
ngrënies sugjeronte edhe një shatërvan prej porcelani në mes të
saj. Ndërkaq, Karlosi ia behu në Lisbonë së bashku me një arkitekt
dekori nga Londra dhe, pasi u konsultua shpejt e shpejt me të
për disa zbukurime që donte dhe për ngjyrat që parapëlqente për
stofrat, i la dorë të lirë londinezit, në mënyrë që të krijonte sipas
shijes së vet, një mjedis të rehatshëm të një luksi sa sqimatar, aq
edhe të përmbajtur.
Villasës i pikoi në shpirt kjo shpërfillje ndaj artistit vendas,
ndërsa Estevesi ulëriti me të madhe në klubin e vet politik se ky
vend kishte marrë fund. Edhe Afonsos i erdhi keq që u detyrua ta
dëbonte Estevesin, ndaj urdhëroi që ta ngarkonin me ndërtimin
e ahurit, ku do të rrinin kuajt dhe karrocat e zotërinjve. Artisti