Page 17 - Kam shumë për të thënë
P. 17
Christophe Van Gerre we y 15
ne vendosëm të linim apartamentin tonë dhe të vinim këtu,
pavarësisht rezervave të tua për këtë qytet. Këtë herë, për shkak
të mungesës sate, nuk ka asgjë që të më lidhë me këtë shtëpi
dhe më duket absurde të qëndroj këtu, qoftë edhe përkohësisht.
Apartamenti im ndodhet këtu pranë, pra jo aq larg sa të mos i
them vetes vazhdimisht: këtë apo atë nuk kam pse t’i marr me
vete, nëse më duhet diçka, mund të shkoj dhe ta marr, apo jo?
Në fakt, nuk është çudi që ka njerëz të pasur apo të fisshëm,
të cilët banojnë në një shtëpi, sipërfaqja e së cilës është aq e
madhe, sa përfshin brenda saj distancën midis apartamentit tim
dhe kësaj shtëpie; ata mund të zhvendosen brenda banesës së
tyre nga njëra dhomë në tjetrën dhe prapë vazhdojnë të banojnë
nën të njëjtën çati, pra mbeten brenda së njëjtës pronë, ashtu
siç jam zhvendosur unë nga apartamenti im në këtë banesë. Ajo
distancë e vogël – jo më shumë se dy rrugë të gjata – nga njëra
anë është padyshim praktike, nga ana tjetër po aq e bezdisshme,
sepse përherë ekziston mundësia që të shkosh nga njëri vend në
tjetrin për të marrë ose për të kontrolluar diçka. Para se të shpikej
pulti i televizorit, kanalet i ndërronim shumë më rrallë se tani.
Nëse nuk jam i vëmendshëm sa duhet dhe nuk veproj në mënyrë
racionale, atëherë mund të përfundoj duke mos bërë gjë tjetër,
veç ecejake midis apartamentit tim dhe banesës së miqve të mi,
për të parë nëse ka ardhur posta; për të kontrolluar nëse Mausjeja
ka vjellë sërish; për të marrë një stilolaps që mund të mbahet më
mirë në dorë se ky me të cilin po shkruaj; për t’u ulur në kopsht
kur të dalë dielli, gjë që nuk kam mundësi ta bëj shpesh, për të
kontrolluar nëse më ka ardhur ndonjë e-mail, për të parë lajmet
e orës shtatë, në mënyrë që të mësoj si shkojnë punët me krizën
botërore dhe të njihem me mjetet e reja që ka shpikur shtypi
ndërkombëtar për ta mbajtur në këmbë këtë krizë, duke larguar
kështu vëmendjen nga funksioni i tij i pavlerë; për të marrë në
frigorifer një shishe me qumësht, kështu nuk do të më duhet të

