Page 12 - Kam shumë për të thënë
P. 12
10 Kam shumë për të thënë
**
Dëgjova të hidhej diçka në kutinë e postës. Është shumë
herët për të qenë postieri, kështu që duhet të jetë gazeta. Miqtë
e mi janë abonuar në gazetën De Standaard dhe, duke qenë se
nuk u kam thënë se me këtë nuk është se po më bëjnë ndonjë
nder të madh, ata nuk e kanë mbyllur abonimin edhe gjatë
periudhës së pushimeve. Ndonëse jam i sigurt që edhe ky numër
i De Standaard-it sa ta shoh, do të më trishtojë, tundimi për t’u
ngritur, për të shkuar poshtë dhe për të parë se çfarë ka në faqen e
parë, është shumë i madh; mbi të gjitha: ç’lidhje ka me kulturën
apo shpirtëroren ajo që mund të ketë depërtuar aty; ç’vëmendje
mund t’u jetë kushtuar temave dhe personave, të cilët ende
nuk janë bluar në mënyrë mekanike nga mediat e tjera, duke
u bërë pluhur me shijen e hirit; ç’gjë nga rrethi vicioz i krizës
mbarëbotërore del sot në ballinë dhe prezantohet si lajm; kush
dhe si e ka parë të arsyeshme të japë mendimin e tij ose të saj,
krejtësisht të panevojshëm, i cili, tekefundit nuk do të ndryshonte
asgjë, sepse gjithçka është përpirë nga mediumi përkatës. Jo, tani
që e di shumë mirë se çfarë më pret, më mirë të mos ngrihem fare.
Sidoqoftë, zbritja mund të më vlejë edhe për të marrë një
filxhan tjetër me kafe. Të njëjtën kafe pija edhe një vit më parë,
për të qenë më i saktë, kam gjetur një nga pakot që blemë bashkë
vitin që shkoi; ajo ka mbetur këtu gjithë këta muaj e hapur, por
e paprekur. Çifti që jeton në këtë shtëpi, miqtë e mi me një fjalë,
nuk bëjnë kafe, të paktën jo në mënyrën klasike, me ujë të nxehtë
dhe kafe të bluar. Ata blejnë bustina kafeje, të cilat futen në një
aparat dhe pasi i mëshon lehtë një butoni, prej tij del ujë i vakët. Ti
e urren tmerrësisht pijen që përftohet prej këtij procesi, edhe unë.
Një herë, mëngjesin e parë që ne të dy u zgjuam këtu, provuam të
pinim nga kjo kafe, por e paguam shtrenjtë: mëngjesi na u prish,
deri në mesditë të sëmurë, kështu që orët më të bukura të ditës i

