Page 14 - Kam shumë për të thënë
P. 14

12                           Kam shumë për të thënë


              Unë mbërrita këtu dje, rreth mesditës. Para se të niseshin,
          ata i kishin lënë çelësat e shtëpisë në kutinë postare. Sapo hapa
          derën, ndjeva një aromë – aromë që dukej e njëjtë me atë të një
          viti më parë. Vitin që shkoi, kam ardhur shpesh për vizitë në
          këtë shtëpi, për shembull, kam festuar bashkë me miqtë e mi
          ndërrimin e viteve, apo edhe në raste të tjera, por asnjëherë nuk
          e kam ndier këtë aromë, si të jetë një aromë që i përket kësaj
          shtëpie që shoh tani, me dhomat e zbrazëta, mobiliet e heshtura
          dhe me Mausjenë; si të jetë një aromë që shfaqet sa ikin banorët
          e saj të përhershëm dhe vij unë.
              E kam shumë të vështirë të përshkruaj vetitë dhe të veçantën
          e kësaj arome, sidoqoftë, mendoj se në të mund të dalloj diçka,
          të cilën unë e lidh ngushtësisht me insekticidet apo më mirë,
          me një lloj lëngu shfarosës, prej të cilit është zbrazur një grusht
          me flakonë në çdo dhomë të shtëpisë. Aroma është e fortë dhe
          e mprehtë, si ajo e një gazi kimik; është aromë që të bën t’ia
          mbathësh nga sytë këmbët dhe që mund të të shkaktojë panik,
          sepse dihet që në një vend ku kundërmon një aromë e tillë,
          rreziku është përherë i pranishëm.
              Dje, sa hyra brenda, Mausjeja më doli përpara. E dëgjoja
          tek mjaullinte paprerë, përherë e më fort dhe, çuditërisht, nuk
          u tremb kur më pa; thua ta ketë ndier vallë, se isha unë ai që
          pak më parë po hapte derën me çelës? Mbase ka kujtuar se isha
          njëri nga të zotët e shtëpisë... Apo më mbante mend nga viti i
          kaluar ose nga vizitat që kisha bërë në këtë shtëpi? Mos ndoshta
          ai përshtatej automatikisht, në mënyrë të pandërgjegjshme,
          dhe ndihej rehat me këdo që zotëronte tufën e çelësave dhe
          hynte e dilte lirisht në atë banesë? Sido që të ishte puna, dukej
          sikur Mausjeja i kishte harruar miqtë e mi që ishin nisur për
          pushime dhe pa kurrfarë problemi i kishte zëvendësuar ata me
          mua. Kjo të jetë, vallë? Apo mos e ka kuptuar që ti nuk ishe
          aty me mua?
   9   10   11   12   13   14   15   16   17   18