Page 11 - Gjiganti i fjetur
P. 11
9
Kazuo Ishiguro
botën e dijes. Por, nga ana tjetër, s’mund ta fshehim që edhe
mbi një kalë të fortë, e në mot të mirë, mund të kalëronit për
ditë të tëra pa ju zënë sytë nga larg, në gjithë atë gjelbërim, asnjë
hije kështjelle a manastiri. Kryesisht, do të gjenit bashkësi si kjo
që ju përshkrova më lart, ku pa ofruar në këmbim ushqime ose
veshmbathje, apo pa qenë i armatosur gjer në dhëmbë, nuk do
t’ju prisnin krahëhapur. Më vjen keq që po ju jap një panoramë
të tillë të vendit tonë asokohe, por kjo është e vërteta.
Le të kthehemi tek Akseli dhe Beatrisi. Siç thashë, dy të
moshuarit jetonin në skajin e jashtëm të strofullës, kështu që
kasollja e tyre ishte më e pambrojtura nga faktorët natyrorë
dhe i gëzohej fare pak zjarrit që ndizej në Odën e Madhe ku,
mbrëmjeve, mblidheshin të gjithë. Ndoshta, kohë më parë, ata
mund të kishin banuar më pranë vatrës; kohë kur kishin jetuar
së bashku me fëmijët e tyre. Në fakt, ky mendim i endej në kokë
Akselit sa herë dremiste në shtrat në orët boshe që i paraprijnë
mëngjesit, pranë së shoqes që bënte një gjumë të thellë; e befas,
ndjesia e një humbjeje të paemër i kafshonte zemrën, duke ia
marrë gjumin.
Mbase kjo ishte arsyeja që atë mëngjes, Akseli ishte ngritur
nga shtrati dhe kishte dalë jashtë pa bërë zhurmë për t’u ulur
në stolin e shtrembër në hyrje të strofullës, në pritje të rrezeve
të para të dritës. Ishte pranverë, por era shponte ende, ndonëse
ishte mbështjellë me pallton e Beatrisit, që e kishte hedhur
krahëve teksa dilte. Mandej, mendimet e kishin përpirë deri në
atë pikë saqë, kur e kuptoi sa ftohtë bënte, yjet ishin shuar, një
përskuqje fekste në horizont dhe në atë mugëtirë dëgjoheshin
notat e para të këngës së zogjve.
Akseli mezi u ngrit në këmbë, i penduar që kishte ndenjur
jashtë aq gjatë. Gëzonte shëndet të mirë, por herën e fundit
i qe dashur ca më shumë kohë për ta marrë veten nga ftohja
dhe nuk donte që ajo t’i përsëritej. Tani ndjeu lagështirën që i