Page 17 - Aventurat e pazakonta të shegertit të vogël
P. 17
Ivana Brlić-Mažuranić
Kur e pa Hlapitin ashtu, të veshur ngjyra-ngjyra, ajo u tremb aq
shumë, sa zuri të bërtiste dhe të përplaste duart me njëra-tjetrën.
Macja, e tmerruar nga ulërima e saj, i kërceu mbi kokë Hlapitit dhe
u kacavar mbi shpatullat e gruas, që andej ra pëlltum në një tenxhere
plot me ujë.
Kushdo që do ta shihte këtë skenë, do të shkrihej së qeshuri!
Tek shikonte macen që mjaullinte, ujin e derdhur, tenxheren që
rrotullohej dhe Hlapitin që kërcente nga frika se mos lagte çizmet,
shërbëtorja e shtëpisë ia plasi gazit aq fort, sa edhe xhamat e dritares
u tundën.
– Pupu! Pupu! – ia bëri ajo. – Si je katandisur kështu me gjithë
këto ngjyra? Je papagall, qukapik apo ç’dreqin je ti?
– Asnjë nga këta, moj zonjë, – u përgjigj djali. – Unë jam Hlapiti
dhe të kam sjellë qumështin. Plaku është i dobët, nuk i ngjit dot
shkallët. Vetëm, të lutem, mos bërtit kështu.
Atëherë, shërbëtorja qeshi edhe më shumë.
Pastaj mori qumështin dhe e zbrazi në tenxhere. Kur Hlapiti po
zbriste me bidonin bosh, ajo mori qiririn dhe i bëri udhë poshtë,
deri në fund të shkallëve, sepse i pëlqeu me të vërtetë shumë ky djalë.
– Zonjë, përse nuk zbret vetë çdo ditë për të marrë qumështin?
– i tha Hlapiti. – Përderisa mundesh të më përcjellësh deri poshtë,
mundesh po ashtu ta marrësh vetë qumështin e ta çosh lart. Plaku
është shumë i dobët, nuk ngjitet dot deri në katin e tretë.
Asaj i erdhi turp nga vetja dhe i premtoi Hlapitit se tani e tutje do të
zbriste çdo ditë që ta merrte vetë qumështin. Kurse Hlapiti i premtoi
se kur të kthehej nga rrugëtimi i tij, do t’i sillte një buqetë me lule.
Me të zbritur poshtë, Hlapiti iu lut plakut që ta lejonte ta
shpërndante ai qumështin, sepse karroca ishte plot e përplot.
15