Page 13 - Aventurat e pazakonta të shegertit të vogël
P. 13
Ivana Brlić-Mažuranić
Së pari, hoqi nga gozhda pantallonat e gjelbra dhe i veshi shpejt
e shpejt. Për pak sa nuk fishkëlleu kur po vishej, pasi kështu ishte
mësuar të bënte në këpucari! Por ç’e do, duhej të heshtte si një
miush, pasi kishte frikë se mos zgjonte usta Vetullngrysurin, i cili
flinte në dhomën ngjitur.
Pastaj, Hlapiti mori gjilpërën, qepi një arnë në këmishën e tij të
kuqe dhe e veshi fët e fët. Mori te qoshja ato çizmet e bukura, për të
cilat e rrahën një ditë më parë, dhe i mbathi.
Për pak sa nuk fërshëlleu prej gëzimit kur ndjeu se çizmet i binin
aq mirë! Sigurisht, nuk mund të fërshëllente, sepse ustai mund të
zgjohej në çast! Hlapiti donte të merrte edhe kapelën e tij. Por ç’e
do, ajo ishte e shqyer dhe gjithë zhul.
Pa, ç’pa, mori një copë lëkure të ndritshme që kishte mbetur nga
çizmet dhe e preu në formë rrethore. Për ta qepur, s’e pati të vështirë
fare, sepse ishte këpucar!
Tani, kapela shndriste si të ishte diell dhe Hlapiti e vendosi në
kokë.
Kështu, i veshur me pantallonat e gjelbra, këmishën e kuqe,
çizmet e bukura, kapelën tërë shkëlqim dhe me një torbë të kuqe
mbi shpatullat e vogla, Hlapiti ishte gati për udhëtimin e tij.
Dukej si gjenerali i një ushtrie lodrash!
Ashtu në heshtje, ai rrëshqiti nga punishtja drejt oborrit.
Në kopsht rrinte i lidhur qeni Bundash. Hlapiti dhe Bundashi
na ishin shumë shokë, ndaj djali nuk iu afrua, se e dinte që do të
angullinte. Edhe për Hlapitin ishte shumë e vështirë, sepse i vinte
keq që po e linte vetëm Bundashin.
Sapo Hlapiti doli në kopsht dhe po mendonte në duhej ta
përqafonte apo jo qenin, usta Vetullngrysuri filloi të kollitej në
dhomë. Ustai e kishte zakon të kollitej në gjumë.
11