Page 17 - Nga veranda jote duket shtëpia ime
P. 17

Elvis M a l a j                                          15


               Për pak sa nuk ndryshova mendim, por në fund jo, racizmi
            nuk ekziston. Ndonëse për pak desh e bëra në brekë. Ishin idetë
            e mia ato që më shpëtuan. Ama, duhet ta pranoj, se merita ishte
            edhe e të dashurës sime, që në vend të ideve, kishte përdorur
            metoda të tjera. Dhe aty, në qendër të sheshit Vittorio Emanuele,
            pasi dolëm nga kafeneja për të shkuar në shtëpinë e saj, sepse
            Xhorxha donte të bënte një dush dhe të ndërrohej para se të
            dilnim për darkë, dhe pasi u palluam, e ndofta një dush duhej
            ta kisha bërë edhe unë, sepse pas asaj djersitjeje që më kishte
            shkaktuar ai çerri, nuk do të ndihesha rehat gjatë darkës, aty,
            pra, në qendër të sheshit Vittorio Emanuele, më të përshëndetur
            Andrean që kish mbirë nga hiçi dhe që s’ia kishte fare idenë
            asaj që ndodhi me çunat e tavolinës ngjitur, sepse kishte shkuar
            në banjë dhe s’na zinte besë teksa i tregonim, aty, në qendër të
            sheshit ku binte shi me gjyma dhe përpiqeshim ta përshkonim
            pa na shtypur ndonjë makinë, mendoja që Xhorxha s’kishte
            qenë kurrë kaq e bukur sa atë çast, me shiun që i zhyente fytyrën.
            Tamam si në një film, nga ata që transmetonte kanali La5 dhe
            që, e pranoj, më pëlqenin. Aty i thirra mendjes. Xhorxha më
            vështronte, dhe buzëqeshja e saj thoshte “budalla, kështu po
            bëhemi qull”, donte të kalonte rrugën, por s'e lija unë. Ishte kaq
            e bukur, sa ndihesha në faj. Duhej t’i jepja më shumë, një vajze
            si Xhorxha duhet t’i japësh gjithçka. Atë mbrëmje, gjatë darkës,
            do t’i kërkoja të martoheshim. Madje, më kish lindur një ide
            edhe më e bukur. Pasi vërtetova se kutia në xhepin e brendshëm
            të xhaketës nuk ishte një kuti shkrepëseje, e kuptova ç’duhej të
            bëja.
               Vetëm se pastaj doli që kisha kuptuar një pesë me hiç.
               Doli që kisha një talent të spikatur për të nuhatur çfarë
            s’duhej bërë dhe ta bëja pikërisht në çastin që s’duhej bërë.
   12   13   14   15   16   17   18