Page 16 - Nga veranda jote duket shtëpia ime
P. 16

14              Nga veranda jote duket shtëpia ime


             Ua tregoja shpesh miqve të mi, isha ca si i fiksuar pas këtyre,
          derisa Xhorxha më tha: “Hiq dorë, s’na bën për të qeshur!”.
          Dhe, ç’është e vërteta, kur i dëgjova nga goja e atij çerrit, s’më
          bënë për të qeshur.
             Racizmi është histori e shëmtuar. Këtë fjali të lexuar
          me mijëra herë në faqen e parë të librave Feltrinelli s’e kisha
          kuptuar kurrë plotësisht, deri atë çast. Teksa vështroja atë
          çerrin të niste shfaqjen e tij, brenda vetes kisha një ndjesi
          pafuqie para asaj që po ndodhte. Fytyrën, me gjasë, e kisha
          më të bardhë se Xhorxha. Kur u kthye për të më parë, duhet
          ta ketë vënë re. Ishte i vetmi njeri i shëndetshëm aty brenda.
          Ku mutin ishte Andrea, ai që donte të ishte shqiptar?
             Ai çerri nuk arriti ta çonte deri në fund barsoletën. Xhorxha
          ia flakëriu me një shpullë.
             – Debil! – Djali tani kishte një pëllëmbë të kuqe në faqe dhe
          sytë e përlotur. – T’i menderosësh të tjerët, s’të bën ty një qenie
          më pak të menderosur, përkundrazi! – Xhorxhas i kishin hipur
          nervat keq, çfarë s’nxori nga goja.
             Një vajze e ngjyer si lolo po i mbante leksion mbi racizmin
          një kopeje adoleshentësh të dehur. Kur përfundoi, askush nuk
          pipëtiu. Xhorxha u afrua dhe më puthi në faqe.
             – Mos ua zgjat më, – tha. U kapardisa dhe i vështrova sikur
          po ndaja mendjen në t’i zija me shqelma bythëve apo ta lija me
          aq, por pastaj vendosa që s’ia vlente barra qiranë.
             Ndërsa Xhorxha mori për nga dalja duke më tërhequr për
          dore, drejtova dy gishtërinj drejt syve të mi e mandej nga çerri
          i vogël dhe grupi i tij. Do t’ju ruaj, plehra! Veçanërisht ty!
          Pastaj u ktheva dhe ndoqa Xhorxhan jashtë kafenesë.
   11   12   13   14   15   16   17   18