Page 8 - Nga veranda jote duket shtëpia ime
P. 8
6 Nga veranda jote duket shtëpia ime
t’i numëroja: kisha njëzet e tetë kushërinj. Bëra një udhëtim në
Shqipëri dhe më ngacmuan të dashurën. Bëra një udhëtim në
Shqipëri dhe më plaçkitën. Kisha marrë një mal me refuzime
miqësore nga botuesit, të cilëve u pata dërguar dorëshkrimin.
E nisa sërish duhanin – por kjo s’ka lidhje fare me librin – nuk
pretendoja kushedi çfarë dhe, sidoqoftë, pija veç dy apo tri
cigare në ditë. Kisha probleme me shkronjat dyshe të italishtes,
me theksin dhe kundrinorët. Kisha surrat shqiptari, siç thoshin
të gjithë, po unë s’e dija ç'surrat kishte shqiptari, fytyra ime
më dukej normale dhe, për hir të së vërtetës, edhe e pashme.
Mbaja gjithmonë ca shishe me raki në bufe. Bëra një udhëtim
në Shqipëri dhe kur u ktheva, më gjobitën ngaqë thashë se
s’kisha asgjë për të deklaruar, ndërkohë që në bagazh kisha më
shumë shishe me raki nga sa lejohej, dhe të tejkaloje cakun, siç
kisha bërë unë, do të thoshte kontrabandë. Kisha një dhëmb të
prishur, që herë pas here më dhembte, i kisha tmerr dentistët.
Lashë një takim për ta hequr, ose për ta mbushur; pas dy javësh,
do të më shoqëronte e dashura, me hir a me pahir, siç më tha.
Kisha një marrëdhënie të mirë me tim atë, shqiptari i vetëm
që nuk më çante trapin. Kisha një emër kuptimplotë: delir dhe
dramë për një popull të tërë.
Tërë këtë fjalim – domethënien e të cilit s’e kapja dot, ndaj
dhe po shqetësohesha disi – po ma mbante Andrea. Andrea
ishte një nga ata që të lënë me gojë hapur, thoshte gjëra që
në dukje mund të ngjanin pa lidhje, por po ta dëgjoje me
vëmendje, kuptoje se nuk qenë dhe aq absurde. Të paktën
me të nuk rrezikoje të dëgjoje dërdëllitjet e zakonshme. Teksa
ndiqja me vëmendje fjalimin e tij, rrëkëlleja gotën.
– Do të doja të isha shqiptar, – tha në njëfarë pike.
Këtë s’ma kishin zënë veshët kurrë.