Page 11 - Nga veranda jote duket shtëpia ime
P. 11
Elvis M a l a j 9
dhe s’mund t’i përvishej. Është spektakël i vërtetë kur Xhorxha
nevrikoset me ndonjë harbut. Kam qenë i pranishëm kur e
bëri shefin e vet spec nga sikleti mu para klientëve, i zbrazi ç’i
nxinte goja dhe për pak desh e rrahu. Kur duhej të kërcënoja
dikë, nuk thosha “do thërras kushërinjtë e mi shqiptarë”, por
“do thërras të dashurën italiane”.
– E pashë unë, ishte ai me bluzën e tutave blu, – tha
Andrea duke bërë me shenjë nga djaloshi pranë banakut, që
po rrëkëllente një birrë. – Për mendimin tim, ai është komplet
trap.
Xhorxha iu përgjigj provokimit me një ngërdheshje.
Sigurisht, s'ishte nga ato që nuk binte në sy. Vërejta njëfarë
zilie në fytyrat e disave, përfshirë atë çerrin në tryezën tonë,
të cilit i bëra me shenjë se duhej të ngrihej për t’i lënë vendin.
Në të vërtetë, i thashë edhe “ik pirdhu”; tani kishte nisur të më
hynte në qejf të shaja. Djaloshi murmuriti diçka me vete dhe
liroi karrigen.
– Glen, ma dhanë rolin, – tha Xhorxha pasi u ul. Të gjithë
më thërrisnin Glen, në të vërtetë ishin të paktë ata që ma dinin
emrin dhe domethënien e tij. Quhem Marenglen. Është një
emër që ekziston vetëm në Shqipëri. Ishte shumë në modë
në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, kur Shqipëria mbahej si
kocka e fortë e idealeve proletare. Marenglen është akronimi i
emrave Marks, Engels dhe Lenin. Dhe po e lë me kaq.
Andrea porositi edhe një dorë tjetër xhin tonik për të festuar,
ndërsa Xhorxha na tregoi për provën e aktrimit. Na shpjegoi
se qe lyer si kloun, sepse bëhej fjalë për teatrin e gjesteve, gjëra
të nivelit të lartë. Ishte roli më i rëndësishëm që kishte pasur
deri atëherë dhe, për të na e dëshmuar këtë, përmendi disa
emra: atë të skenaristit dhe të një tjetri që, po të mos ishim aq