Page 9 - Nga veranda jote duket shtëpia ime
P. 9
Elvis M a l a j 7
– Ça karin po thua?
– E po, sidoqoftë, do të emigroja në Itali, por s’do të qe
keq sikur të isha shqiptar, – dhe filloi të më fliste për një botë
hipotetike, ku ai ishte shqiptar. Kësaj here e humba fare fillin
e bisedës. Po kthente gotën e tretë me xhin tonik, kështu që e
mblodha mendjen.
Ishim ulur në një bar në sheshin Vittorio Emanuele; jashtë
kishte një copë herë që binte shi, ndonëse prej një copë here
dukej sikur donte të pushonte.
– Sa të pushojë, dalim, – më tha Andrea.
Në tavolinën tonë ishin edhe dy djem të tjerë, që kishin
kthyer karriget nga tryeza ngjitur, ku ishte gjithë grupi i tyre.
Ishin nxënës të klasave të larta të gjimnazit, me çantat e hedhura
nën tryezë dhe pas murit. Dyndja dhe alkooli e kishin rënduar
ajrin me kundërmime sqetullash e duhma çakërrqejf; disa
prej tyre kishin hequr xhaketat e bluzat dhe rrinin me mëngë
të shkurtra. Rrobat e lagura të atyre që sapo kishin ardhur,
avullonin sa hap e mbyll sytë. Lokali nuk ishte dhe aq i madh,
por kishte dy hyrje me pamje nga dy sheshe të ndryshme. Ishte
hera e parë që shkonim dhe, me gjasë, edhe e fundit; të rinj të
zhurmshëm pa hesap. Kur kamerierja, një vajzë bukuroshe me
ngjyrë, shkoi t’u shërbente, njëri prej tyre e pyeti se sa merrte,
duke nënkuptuar një gojore. Unë do t’i kisha fluturuar me
shqelma jashtë, ndonëse nga mënyra si pinin, nuk do të ishte
në dobi të fitimit. Ndodheshim aty, sepse në anën tjetër të
sheshit Vittorio Emanuele ishte teatri, dhe Xhorxha na kishte
thënë ta prisnim jashtë.
Shikoja njerëzit që hynin e dilnin, ndërsa Andrea më
shpjegonte se sa mirë ishte të kishe një vend tjetër ku të shkoje,
kur Italia të vinte në majë të hundës, siç i kish ardhur atij