Page 10 - Nga veranda jote duket shtëpia ime
P. 10
8 Nga veranda jote duket shtëpia ime
atë kohë, fundja siç ndodhte gjithmonë. Isha gati ta pyesja se
si i lindnin ato ide gjeniale, kur një nga djelmoshat i dha një
goditje me bërryl tavolinës duke na i hedhur përpjetë gotat,
teksa shkulej së qeshuri.
– O çerro, hiqi bërrylat nga tavolina jonë, – i tha Andrea.
– Mos më çaj trapin! – ia ktheu ai.
Andrea më vështroi si për të më thënë “hë fol, ça t’i bësh
këtij tipit”. Me sa dukej, nuk qe dhe aq i dehur sa ç’mendoja,
përndryshe, do qe ngritur për t’i mësuar atij djalit atë që
prindërit matufë s’kishin qenë të zotë ta bënin.
– O çerro, – thashë unë dhe prita që të kthehej. – Hiqi
brrylat prej tavolins tonë, n’mos daç me ti thye dhëmbët. – Djali
më vështroi ndërdyshas dhe i hoqi bërrylat nga tryeza jonë.
Ndonjëherë, shqipja është më e kuptueshme se italishtja.
Për Andrean, kjo vërtetonte gjithë ç’kishte thënë më parë.
Pak më vonë, u shfaq Xhorxha. Tunda dorën derisa na pa dhe i
bëra me shenjë të na bashkohej. Dukej më shumë sikur kishte
dalë nga një cirk sesa nga një teatër; flokët i kishte të lagur dhe
në fytyrë, për shkak të grimit të fshirë rrëmbimthi, i kishin
mbetur njolla makijazhi dhe përjargie të kuqe në cepat e gojës,
që zgjateshin si një e qeshur tallëse. Syzet optike i jepnin një
fije serioziteti asaj figure qesharake. Në një moment, ndërsa
Xhorxha zhdërvillej mes tavolinave dhe grumbullit të njerëzve,
u dëgjua një gjëmim i fortë, që për një çast mbizotëroi çdo
gjë e platiti zhurmën aty brenda. Nuk kaloi as një grimë dhe
të gjithë ia nisën poteres, më të dalldisur se më parë. Shiu
s’kishte ndër mend të pushonte dhe kjo ishte një arsye e mirë
për të vazhduar pijen. Kur Xhorxha na u bashkua, ishte bërë
xhind: një shkërdhatë, duke përfituar nga rrëmuja, i kishte
prekur bythën. E bezdiste fakti që s’e dinte kush kishte qenë